Home / Lajme / Kosova / Shkyçja e Njësisë B1 në “Kosova B” nxjerr në pah problemet e vazhdueshme të operimit

Shkyçja e Njësisë B1 në “Kosova B” nxjerr në pah problemet e vazhdueshme të operimit

Njësia B1 e Termocentralit Kosova B është shkyçur nga operimi për shkak të problemeve teknike të evidentuara në sistemin e kaldajës, konkretisht rrjedhje të avullit, çka ka detyruar ndërmarrjen që ta nxjerrë njësinë jashtë funksionit për arsye sigurie.

Ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje gjendjen e rënduar teknike të kapaciteteve termike në Kosovë. Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar duke theksuar se ndërprerjet e tilla janë bërë pothuajse të zakonshme, ndërsa njoftimet se një bllok i termocentralit nuk funksionon nuk përbëjnë më lajm të jashtëzakonshëm.

Sipas saj, të dhënat e operimit tregojnë se Njësia B1 ka pasur disa ndërprerje të paplanifikuara gjatë periudhës së fundit, duke ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetin vendor të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo situatë, sipas vlerësimeve, rrit varësinë nga burime të jashtme të furnizimit, veçanërisht në periudha të konsumit të lartë dhe çmimeve të pafavorshme në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, KEK ka bërë të ditur se furnizimi me energji elektrike mbetet i siguruar, ndërsa njësitë e tjera prodhuese janë në operim për të mbuluar pjesën më të madhe të kërkesës.

Mungesat po mbulohen përmes një kombinimi të importeve nga tregu dhe mekanizmave të shkëmbimit të energjisë, përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar me Shqipërinë.

Janina Ymeri: Postimi i plotë

Të thuash se sot një bllok i termocentralit nuk punon, fatkeqësisht është bërë e zakonshme, megjithatë të thurren poste lavdata të tipit ” e kemi siguruar bukën e motmotit” është e pavend edhe aspak profesionale.

Të dhënat:

1. B1 ka qenë në plan të mos punoj për 49 ditë për revizion e riparim në muajt Mars, Prill e Tetor 2025. Meqenëse ky plan është publikuar në fundvit nga ZRRE, e marr të mirëqënë se 49 ditë janë arsyetuar me riparime.

Nga 2026

2. B1 nuk ka punuar në datat 3 Janar e 4 Janar, tutje B1 nuk ka punuar plotësisht në datat 12 janar, 13 Janar e 14 Janar.

3. Sa për sigurimin e bukës motmotit, nga ora 18 sonte janë planifikuar për import 150-200 MW/h më shumë sesa e diela e kaluar (krahasimi javë- javë është relevant), sepse ne nuk kemi asnjëherë teper energji jashta orëve të mesnatës dhe çdo rënie na bën të kërkojmë rrymë urgjentisht. Kêshtu të paktën 6000 Euro deri 9,500 Euro më shumë në orë po shkojnë import me çmime të Alpex it.

4. Çmimi në Alpex për sot është dukshëm më i lartë se ai që ofronte KEK dhe nesër do jetë më shumë se dyfishi i cmimit në KEK, afër 80 Euro/MWh (DAM, 79.48 Euro/MWh)

5. Poashtu, automatikisht rriten çmimet e bartjes ku në krahasim me javën e kaluar (ditë e Hënë) dhe nesër ankandi ditor për bartje të rrymës rritet nga 1,989 Euro në 17, 244 Euro.

Çdo gjë dihet, sa gjenerohet, sa importohet, sa kushton bartja, sepse platformat janë ndërkombëtare.

Propagandat që po bëhen kanë pasur vend e vlerë për shtete të izoluara, në Shqipërinë e kahmotshme, por nuk pranohen këso lëvdata varfërie në Kosovë.

Ne jemi gjallë, të vetëdijshëm e nuk jemi sikurse Kurti që ka menduar se nuk dijmë sa paguajmë.

E dijmë sa paguajmë, çfarë po paguajmë edhe më e dhimshme, kënd po a pagujmë që nuk po del të jetë KEK por tregtarët e energjisë elektrike.

Në koment gjeni referencat dhe llogaritjet.