ContourGlobal ka njoftuar se rreth 60% e të ardhurave nga 1.1 miliardë dollarë, të siguruara gjatë vitit 2025, janë alokuar për projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe sisteme të magazinimit të energjisë.
Investimet përfshijnë zhvillimin e kapaciteteve të rinovueshme në dhjetë vende, përfshirë centrale diellore dhe me erë, si dhe sisteme magazinimi me bateri. Disa nga këto projekte janë tashmë në operim, ndërsa të tjerat janë në ndërtim ose në faza të avancuara zhvillimi.
Kapaciteti total i projekteve të mbështetura nga këto investime arrin rreth 2.4 GW gjenerim të pastër dhe 962 MW / 4.5 GWh magazinim energjie. Sipas kompanisë, asetet në operim prodhojnë mbi 5.7 TWh energji elektrike në vit, duke shmangur rreth 2.1 milionë tonë emetime CO₂ çdo vit.
ContourGlobal planifikon që përmes këtyre investimeve të forcojë portofolin e energjisë së ripërtëritshme dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt teknologjive më të qëndrueshme të prodhimit të energjisë.
Angazhimi i ContourGlobal në Kosovë
Ndryshe, ContourGlobal ishte përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr, ‘Kosova e Re’.
Madje, në fund të vitit 2017 Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar disa marrëveshje me kompaninë për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 500 megavatësh, e që do të kushtonte rreth 1.3 miliard euro.
Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë, raporton Energy Monitor.
Në mars të po këtij viti, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.



