Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Rregullatori nis procedurat për heqjen e 11 licencave, subjektet nuk kanë paguar

Shqipëri: Rregullatori nis procedurat për heqjen e 11 licencave, subjektet nuk kanë paguar

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri ka nisur së fundmi procedurat për heqjen e 11 licencave ndaj një sërë subjekteve të cilët sipas saj nuk kanë shlyer në kohë pagesat rregullatore.

Bëhet fjalë kryesisht për licenca në prodhimin e energjisë, tregtimin e saj apo edhe të dyja së bashku. Në vendimet që janë marrë nga Bordi i Komisionerëve të Entit që mbajnë datën 4 shkurt argumentohen arsyet e kësaj procedure.

Konkretisht me një vendim të majit 2025 Enti ka miratuar pagesat rregullatore që operatorët duhet të paguajnë në llogari të tij.

“Ky vendim është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 105, datë 17.06.2025. Përveç marrjes dijeni nga Fletorja Zyrtare, të licencuarit i është dërguar fatura e fiskalizuar, së bashku me detyrimin respektiv” nënvizon Enti.

Ajo që ka ndodhur më pas është që subjektet për të cilat ka nisur heqja e licencës nuk kanë kundërshtuar vendimin e bordit të ERE-s nr. 112/2025, dhe nuk kanë përcjellë në ERE dokumentacion mbi mos shlyerjen e detyrimit.

“Ndaj konstatohet se ky i licencuar ka kryer shkeljen si vijon: Mosshlyerjen në afat të pagesës së rregullimit për vitin 2025” thuhet në 11 vendimet e Entit.

Sipas ligjit në fuqi nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, në nenin 107 parashikohet se “për moskryerjen e pagesës rregullatore nga ana e të licencuarit brenda afatit të përcaktuar, ERE ndëshkon me gjobë deri në 3 për qind të të ardhurave të vitit paraardhës të të licencuarit si dhe ka të drejtë të aplikojë një kamatëvonesë mbi vlerën e pagesës rregullatore, në masën e 0.2 % të xhiros ditore për çdo ditë vonesë në pagesën e saj dhe në germën ç) të nenit 42 parashikon se, ERE heq një licencë kur i licencuari nuk kryen pagesat e rregullimit, të vendosura nga ERE, siç përcaktohet nga neni 17 i këtij ligji”.

Në rastet kur nga ana e subjekteve nuk merren masa as pas vendosjes së gjobave dhe as detyrimi primar nuk shlyhet ligji i jep të drejtën Entit të vendosë për heqjen e licencës. Subjekteve në fjalë u është lënë afat 30 ditor për të reaguar mbi këtë masë të marrë nga Enti.

/monitor.al