Home / Lajme / Kosova / Ambasadori Jonathan Hargreaves: Kosova ka potencial të madh në sektorin e teknologjisë dhe energjive të ripërtëritshme

Ambasadori Jonathan Hargreaves: Kosova ka potencial të madh në sektorin e teknologjisë dhe energjive të ripërtëritshme

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar se Kosova ka potencial të konsiderueshëm zhvillimi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe energjive të ripërtëritshme, fusha që sipas tij mund të gjenerojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe mundësi të reja për të rinjtë.

Në një intervistë për Politiko, ai u shpreh se krijimi i institucioneve funksionale hap rrugë për avancimin e reformave dhe përqendrimin në sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, qytetarët presin rezultate konkrete, sidomos në ekonomi dhe arsim, si baza për një të ardhme më konkurruese.

Hargreaves theksoi se investimet në teknologji dhe në energji të ripërtëritshme mund ta pozicionojnë Kosovën si një treg në rritje në rajon, duke krijuar vende pune me vlerë të shtuar dhe duke nxitur inovacionin. Ai vlerësoi se këta sektorë ofrojnë mundësi reale për të mbajtur talentin brenda vendit dhe për të ndërtuar një ekonomi më dinamike, njofton Energy Monitor.

Duke folur për kontekstin global, ambasadori theksoi se bota po përballet me sfida gjeopolitike, transformim teknologjik dhe presione klimatike, çka e bën edhe më të rëndësishëm orientimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë strategjikë, duke e parë Kosovën si një kontribuese aktive në stabilitetin rajonal dhe evropian, përcjell Energy Monitor.

Në përfundim, Hargreaves theksoi se Kosova ka bërë përparim të dukshëm ndër vite, por duhet të vazhdojë reformat dhe investimet në sektorë strategjikë si teknologjia dhe energjitë e ripërtëritshme për të përmbushur potencialin e saj të plotë ekonomik dhe për të garantuar zhvillim afatgjatë.

/Energy Monitor