Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë para Kuvendit të ri, prezantoi prioritetet e mandatit të ardhshëm qeverisës, me theks të veçantë në energji, siguri ujore dhe zhvillim ekonomik. Programi i shpallur synon ta pozicionojë Kosovën si eksportuese neto të energjisë elektrike dhe të forcojë kapacitetet prodhuese të vendit në vitet në vijim, raporton Energy Monitor.
Në qendër të vizionit energjetik është objektivi që Kosova të prodhojë më shumë energji sesa konsumon, me synimin që eksporti i energjisë elektrike të arrijë deri në 30% mbi nivelin e konsumit të brendshëm. Sipas planit të prezantuar, kapacitetet e instaluara të energjisë pritet të rriten ndjeshëm, duke përfshirë investime në burime të ripërtëritshme dhe në sisteme moderne për ruajtjen e energjisë.
Një nga projektet kryesore është implementimi i një sistemi baterish me kapacitet 170 MW për dy orë, me energji të përgjithshme prej 340 MWh, i cili do të rrisë fleksibilitetin dhe stabilitetin e rrjetit energjetik. Këto investime synojnë të krijojnë një sistem më të qëndrueshëm, të aftë për të përballuar luhatjet e prodhimit dhe kërkesës, përcjell Energy Monitor.
Programi parashikon gjithashtu zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore dhe rritjen e efiçiencës së energjisë në sektorë të ndryshëm. Fokusi do të jetë në zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burime të ripërtëritshme, duke integruar teknologji moderne dhe duke përmirësuar performancën mjedisore të sektorit energjetik.
Në të njëjtën kohë, qeveria synon të shfrytëzojë resurset ekzistuese të linjitit përmes teknologjive më të avancuara dhe më pak ndotëse, për të garantuar siguri afatgjatë të furnizimit me energji.
Siguria energjetike është ndërlidhur edhe me sigurinë ujore. Në kuadër të strategjisë kombëtare, është paralajmëruar investimi prej 400 milionë eurosh për ndërtimin e pesë digave të reja në Dragaqinë, Firajë, Desivojcë, Pollatë dhe Kuqicë. Këto projekte synojnë të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, menaxhim më të mirë të burimeve ujore dhe mbështetje për zhvillimin ekonomik, njofton Energy Monitor.
Përtej energjisë, programi përfshin investime të konsiderueshme në prodhim dhe industri. Parashihet krijimi i një skeme garancish sovrane në vlerë prej 1 miliard eurosh për të mbështetur investimet private në fabrika dhe sektorë prodhues, si dhe themelimi i një Banke Zhvillimore për të financuar ndërmarrjet dhe zhvillimin industrial.
Në sektorin e infrastrukturës, janë paralajmëruar projekte të mëdha rrugore që synojnë përmirësimin e lidhjes ndërmjet rajoneve dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, raporton Energy Monitor.
Programi i prezantuar për mandatin e ri synon një qasje të integruar, ku energjia, uji, prodhimi dhe infrastruktura trajtohen si shtylla të zhvillimit ekonomik dhe forcimit të kapaciteteve të brendshme të vendit. Nëse realizohen sipas planit, këto investime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e qëndrueshmërisë energjetike dhe në pozicionimin e Kosovës si eksportuese neto e energjisë në rajon.



