Home / Lajme / Kosova / Transformim energjetik në Kamenicë: 20 familje përfitojnë nga masat e efiçiencës së energjisë

Transformim energjetik në Kamenicë: 20 familje përfitojnë nga masat e efiçiencës së energjisë

Në Kamenicë, ndërtesa e dytë sociale shumë-banesore ka marrë një pamje të re dhe funksionale, falë implementimit të masave për efiçiencë të energjisë. Përveç përmirësimit vizual, transformimi ka sjellë edhe kushte më të mira jetese për banorët.

Me këto investime, 20 familje tashmë përjetojnë një ambient më të ngrohtë, më komod dhe më ekonomik. Masat përfshijnë izolimin e mureve dhe kulmit, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme, si dhe vendosjen e klimave për secilën njësi banesore, përcjell Energy Monitor.

Këto ndryshime kanë sjellë jo vetëm kursim të energjisë, por edhe më shumë rehati në përditshmëri.

Ky projekt është pjesë e një transformimi më të gjerë që po realizohet në 28 ndërtesa në mbarë Kosovën, nën koordinimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes një granti nga Bashkimi Evropian në Kosovë (90%) dhe financimit nga komunat përkatëse (10%).

/Energy Monitor