Sot, në ambientet e Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), u mbajt me sukses Forumi i Sektorit Privat, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të odave, zyrave diplomatike dhe organizatave kryesore të biznesit në vend.
Forumi i Sektorit Privat përbëhet nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë, Këshilli i Investitorëve Europian, Oda Ekonomike Austriake në Kosovë, Oda Ekonomike Sllovene në Kosovë, Oda Ekonomike Turko-Kosovare, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Klubi i Biznesit dhe Oda e Turizmit dhe Hotelierisë.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe klimën e të bërit biznes në Republikën e Kosovës, duke përfshirë sfidat ekonomike dhe të biznesit gjatë vitit 2025, kërkesat dhe pritshmëritë e sektorit privat për vitin 2026, si dhe propozime konkrete për institucionet e reja, me qëllim krijimin e një ambienti më miqësor për të bërë biznes, përcjell Energy Monitor.
Përfaqësuesit e sektorit privat theksuan nevojën për dialog të strukturuar dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, në funksion të përmirësimit të klimës së investimeve dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike.



