Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar pesë gjigantë të naftës, katër prej të cilëve evropianë, të rifillojnë operacionet në Venezuelë nën mbikëqyrjen e Uashingtonit.
Në një dokument të publikuar në faqen e Departamentit të Thesarit, kompania italiane Eni, britaniket BP dhe Shell, si dhe spanjollja Repsol janë lejuar të punojnë në sektorin e naftës dhe gazit në vend, së bashku me kompaninë amerikane Chevron.
Përjashtimi nga sanksionet
Licenca e përgjithshme numër 50, e cila “autorizon transaksione të lidhura me sektorin e operacioneve të gazit dhe naftës në Venezuelë për disa entitete”, përmend specifikisht këto kompani, përfshirë Eni-n, duke krijuar një përjashtim nga sanksionet e vendosura nga SHBA-të në mars 2025.
Mekanizmi i ri parashikon që të gjithë prodhuesit të kalojnë përmes një procesi që lidhet me llogarinë e Thesarit amerikan (Foreign Government Deposit Funds). Të gjitha paratë duhet të derdhen në këtë llogari, e cila aktualisht ndodhet në Katar.
Çështja e borxheve
Chevron, që kishte tashmë një licencë speciale, duket se është vendosur në të njëjtin nivel me Eni. Licenca përjashton marrëveshjet për borxhet dhe pasuritë e sekuestruara më herët. “Licenca e përgjithshme numër 50 sapo është lëshuar”, tha për Corriere një zëdhënës i Eni-t, “marrim shënim që Eni është përfshirë në mënyrë eksplicite dhe aktualisht po vlerësojmë mundësitë që ajo hap, në kuadër të një dialogu të vazhdueshëm dhe konstruktiv me autoritetet amerikane.”
Ende po verifikohet nëse, bazuar në këtë licencë, Eni, do të mund të paguhet sërish me ngarkesa nafte të destinuara për eksport nga kompania shtetërore PDVSA, në këmbim të prodhimit të gazit të destinuar për furnizimin e Venezuelës dhe gjenerimin e energjisë elektrike, një temë mbi të cilën kompania është e angazhuar prej muajsh në dialog me autoritetet amerikane.
/tvklan.al



