Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Bajrami kritikon dispozitat e buxhetit që lejojnë garancionet bankare për projektin solar

Bajrami kritikon dispozitat e buxhetit që lejojnë garancionet bankare për projektin solar

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet Projektligji i Buxhetit për vitin 2026, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur akuza të ashpra ndaj qeverisë për mënyrën se si menaxhon dispozitat financiare që lidhen me projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Deputetja Bajrami kritikoi veçanërisht pikën e projektligjit që mundëson përdorimin e garancioneve bankare për projekte private në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, duke thënë se kjo mund të çojë në shpërdorim të fondeve dhe keqinterpretim të praktikave financiare.

Bajrami u ndal te Neni 14, paragrafi 2 i projektligjit, duke theksuar se ai i jep Ministrisë së Financave kompetencë për të paguar garancionet bankare për kompani private nga kontingjenca buxhetore.

“Këtu ka pasur shkelje të mëdha, sepse në fakt ata që kanë garuar për projektin e tillë nuk kanë qenë në dijeni që Qeveria e Republikës së Kosovës do të lëshojë garancion bankar,” tha ajo, duke nënvizuar se kjo dispozitë duhet të rishikohet për të shmangur favore dhe keqpërdorime të mundshme, përcjell Energy Monitor.

Kritikë e saj lidhej edhe me mungesën e transparencës dhe konkurrencës në procedurat e mëparshme për projektet e energjisë së ripërtëritshme, ku, sipas saj, garancitë bankare nuk ishin pjesë e marrëveshjeve fillestare dhe pjesëmarrësit e tjerë në procesin ofertues nuk kishin dijeni për këtë mundësi financimi.

Ndryshe, garancitë bankare për projekte të energjisë së ripërtëritshme kanë qenë një pikë debati në proceset e zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë, sidomos për projektet e mëdha që kërkojnë sigurim të pagesave për investitorët.

Një shembull i tillë është projekti për ndërtimin e parkut solar me kapacitet të madh pranë Prishtinës të cilit edhe i referohet deputetja Bajrami, ku nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (KOSTT) është kërkuar të sigurojë një garanci bankare për pagesën e energjisë pas komisionimit të impiantit, pasi investitorët e pranuan këtë si kërkesë për të ulur rrezikun e tyre në fazën e financimit.

Instrumenti i garancisë ndihmon në sigurimin e pagesave në rast se blerësi (në këtë rast KOSTT) dështon të paguajnë për energjinë e prodhuar, duke e bërë projektin “të bankueshëm” për institucionet financiare të huaja dhe investitorë të mëdhenj, njofton Energy Monitor.

Garancia në vetvete nuk është dhënë ende, por qeveria ka shprehur gatishmërinë për të marrë hapet e nevojshme për ta siguruar atë nëse kërkohet.

Bajrami paralajmëroi se dhënia e garancive bankare për kompani private pa garanci të qartë të interesit publik mund të rrezikojë buxhetin dhe besimin e investitorëve. Ajo kërkoi që Kuvendi të rishikojë dispozitat e projektligjit për të siguruar që çdo pagesë e tillë të jetë transparente dhe në interes të qytetarëve, duke shmangur favorizime dhe procedura të paqarta.

/Energy Monitor