Balkan Green Foundation (BGF) ka prezantuar studimin “Gjelbër dhe Konkurrues: Shfrytëzimi i Garancive të Origjinës për Rritjen e Eksportit dhe Tranzicionin e Energjisë në Kosovë”, duke vënë në fokus rolin që këto mekanizma mund të luajnë në forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit dhe rritjen e eksporteve.
Studimi u prezantua në një panel të nivelit të lartë me temën “Rruga përpara e Gjelbër dhe Konkurruese”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në mesin e panelistëve ishin presidenti i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, Lulzim Rafuna, Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë, Arian Zeka, kryetari i Bordit të Zyra e Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, si dhe Lindita Daija nga LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Gjatë diskutimit u theksua se Kosova po hyn në një fazë të re të tregtisë së gjelbër, sidomos pas nisjes së operimit të Garancive të Origjinës (GO) dhe zhvillimeve në Bashkimin Evropian lidhur me mekanizmat e tregut të karbonit, përfshirë CBAM. Panelistët vlerësuan se zbatimi i këtyre instrumenteve nuk mund të shtyhet më dhe se institucionet duhet të sigurojnë qartësi rregullatore, koordinim më të fortë dhe mbështetje konkrete për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, njofton Energy Monitor.
Sipas BGF-së, Garancitë e Origjinës duhet të shihen jo vetëm si një detyrim për pajtueshmëri me rregullat evropiane, por si një mundësi reale për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare. Studimi paraqet një sërë rekomandimesh për të shmangur rrezikun që Kosova të mbetet prapa në procesin e tranzicionit energjetik dhe integrimit ekonomik evropian.
Çka janë Garancitë e Origjinës?
Garancitë e Origjinës janë certifikata elektronike që dëshmojnë se një sasi e caktuar e energjisë elektrike është prodhuar nga burime të ripërtëritshme, si era, dielli apo uji. Ato shërbejnë si provë për konsumatorët dhe kompanitë se energjia që blejnë apo përdorin ka origjinë të gjelbër.
Në praktikë, këto certifikata mund të tregtohen veçmas nga energjia fizike, duke krijuar një treg të ri për vlerën “e gjelbër” të energjisë. Për kompanitë eksportuese, posedimi i Garancive të Origjinës mund të jetë një avantazh i rëndësishëm konkurrues, sidomos në tregun e BE-së, ku kërkesat për produkte me gjurmë më të ulët karboni po bëhen gjithnjë e më të rrepta.
Në këtë kontekst, studimi i BGF-së synon të nxisë debat dhe veprim konkret për ta shndërruar këtë instrument në një levë zhvillimi ekonomik dhe mjedisor për Kosovën.



