Home / Lajme / Kosova / Energjia dhe siguria ndër pikat kryesore të diskutimit të kryeministrave Kurti dhe Rama

Energjia dhe siguria ndër pikat kryesore të diskutimit të kryeministrave Kurti dhe Rama

Në një atmosferë ceremoniale në kryeqytetin e Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për një takim bilateral që rikonfirmon vullnetin për një etapë të re të bashkëpunimit vëllazëror. Ceremonia u zhvillua në godinën e qeverisë me nderime shtetërore, ndërsa më herët gjatë ditës, Rama u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Gjatë takimit, dy kryeministrat diskutuan për çështje kyçe të bashkëpunimit ndërqeveritar. Rama uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e dhjetorit dhe për formimin e qeverisë së re, duke shprehur gatishmërinë për koordinim të plotë në të gjitha sektorët.

Një fokus i veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore, përfshirë hekurudhën strategjike Prishtinë-Durrës, e cila konsiderohet jetike për ekonominë dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë midis dy vendeve, njofton Energy Monitor.

Një tjetër temë qendrore e diskutimit ishte energjia dhe siguria. Të dy liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të thelluar në sektorin energjetik, përfshirë mundësitë për rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe integrimin e infrastrukturës energjetike të Kosovës me atë të Shqipërisë.

Siguria kombëtare dhe stabiliteti i furnizimit me energji u konsideruan prioritet për të dy vendet, duke synuar jo vetëm rritjen e qëndrueshmërisë energjetike, por edhe fuqizimin e ekonomive përmes projekteve të përbashkëta, përcjell Energy Monitor.

Arritjet e bashkëpunimit në pesë vitet e fundit u evidentuan si një bazë e fortë për vazhdimin e marrëdhënieve: në arsim janë bërë hapa drejt njësimit të teksteve shkollore dhe njohjes së ndërsjellë të diplomave; në infrastrukturë, hekurudha Prishtinë-Durrës dhe lehtësimi i lëvizjes në zonat kufitare kanë sjellë përfitime konkrete; ndërkohë, në kulturë dhe sport janë zhvilluar projekte të përbashkëta, dhe në ekonomi bashkëpunimi është rritur në sektorët e energjisë, transportit, turizmit dhe tregtisë.

Takimi i sotëm tregon një dëshirë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha kyçe strategjike, duke vendosur energjinë dhe sigurinë në qendër të agjendës rajonale.

/Energy Monitor