Home / Lajme / Rajoni / Serbia dhe Azerbajxhani nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e termocentralit me gaz pranë Nishit

Serbia dhe Azerbajxhani nënshkruajnë marrëveshje për ndërtimin e termocentralit me gaz pranë Nishit

Serbia dhe Azerbajxhani kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një termocentrali me gaz me cikël të përzier pranë qytetit të Nishit në Serbi, një projekt i rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

Marrëveshja u finalizua gjatë vizitës së delegacionit azerbajxhanas, drejtuar nga Presidenti Ilham Aliyev, në Beograd, përcjell Energy Monitor.

Sipas marrëveshjes ndërmjet qeverisë serbe dhe asaj azerbajxhanase, projekti parashikon ndërtimin e një kapaciteti të kombinuar prej rreth 500 megavatësh (MW), me një investim të vlerësuar prej rreth 600 milionë eurosh.

Termocentrali do të përbëhet nga një kapacitet prodhimi prej 350 MW për energji elektrike dhe 150 MW për prodhimin e nxehtësisë, ndërsa gaz natyror për impiantin do të sigurohet nga Azerbajxhani.

Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Dedoviç Handanoviç, ka deklaruar se dokumentet që rregullojnë zhvillimin, projektimin, ndërtimin dhe operimin e impiantit janë nënshkruar dhe se punimet paraprake për projektin do të fillojnë brenda muajve të ardhshëm, përcjell Energy Monitor.

Sipas planeve, ndërtimi i impiantit pritet të zgjasë pak më shumë se dy vjet, me shpresën që ai të jetë funksional deri në vitin 2029.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka theksuar se termocentrali do të sigurojë kapacitet të besueshëm bazë për furnizimin me energji, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e kërkesës për energji për shkak të zgjerimit të industrisë dhe planeve për ndërtimin e qendrave të të dhënave në pjesën jugore të vendit.

/Energy Monitor