Bateritë përbëjnë një pjesë të pa precedent të patentave në sektorin e energjisë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), e cila publikoi raportin “The State of Energy Innovation 2026” për aktivitetet inovative në fushën e energjisë.
Në 2023, bateritë përfaqësuan 40% të të gjitha patentave në fushën e energjisë, një nivel dominues që nuk është arritur kurrë më parë nga ndonjë teknologji tjetër energjetike. Për më shumë, të dhënat paraprake për vitin 2024 dhe 2025 parashohin rritje të kësaj vlera.
Një sondazh i IEA-së me ekspertë dhe praktikues tregon se siguria energjetike ishte motivuesi kryesor i inovacionit në 2025, ndjekur nga përballueshmëria e energjisë dhe reduktimi i emetimeve, përcjell Energy Monitor.
Investimet në energji po ndryshojnë gjithashtu, thuhet në raport. Shpenzimet publike për kërkim dhe zhvillim në fushën e energjisë ranë 2% në vit, duke arritur rreth 55 miliardë dollarë në 2025. Gjithashtu, rritja e investimeve private u zvogëlua në 1% në vitin 2024. Kapitali riskut për energji ra për herë të tretë radhazi, në 27 miliardë dollarë.
Megjithatë, interesim i madh është shfaqur për bateritë me jon natriumi, me kompanitë CATL dhe BYD që kanë njoftuar zhvillime të reja dhe ndërtimin e impianteve për përdorim në automjete elektrike, ruajtje energjie në shkallë të madhe dhe industri.
IEA thekson se bateritë me jon natriumi mund të reduktojnë varësinë nga mineralet kritike si litiumi dhe grafiti, megjithatë teknologjitë më afër përdorimit komercial varen nga minerale të tjera si nikeli dhe mangani, me një prodhim të përqendruar kryesisht në Kinë.
Sipas raportit, këto bateri synojnë përmirësimin e performancës në klimë të ftohtë dhe uljen e ekspozimit ndaj luhatjeve të çmimeve të litiumit.
Bateritë janë shndërruar në një nga prioritetet kryesore të inovacionit në sektorin e energjisë, duke luajtur një rol thelbësor në kalimin drejt sistemeve më të qëndrueshme dhe fleksibile
Ndryshe, zhvillimet në teknologji baterish po përshpejtojnë integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë si dielli dhe era, duke ofruar kapacitet për ruajtje energjie që ndihmon në balancimin e rrjetit edhe kur prodhimi është i paqëndrueshëm. Kjo rrit efikasitetin e sistemeve energjetike dhe redukton varësinë nga qendrat e prodhimit me karburante fosile, njofton Energy Monitor.
Investimet në bateri po rriten shpejt, jo vetëm për përdorim në sistemet energjetike të rrjetit, por edhe për aplikime të tjera, përfshirë transportin elektrik dhe sistemet e menaxhimit të energjisë në ndërtesa. Përmirësimet në densitetin e energjisë, koston dhe jetën e ciklit të baterive po i bëjnë këto teknologji gjithnjë e më konkurruese ekonomikisht.
Bullgaria me rritje prej mbi 1,100% të kapacitetit të instaluar të baterive, SHBA-të me 700 GWh kapacitete shtesë nën ndërtim
Nga vendet anëtare të BE, Gjermania dhe Italia mbeten liderë sipas kapacitetit të ri të baterive të instaluara, me rreth 6,6 GWh dhe 4,9 GWh respektivisht në 2025. Por vëmendjen e mori Bullgaria, e cila shënoi një rritje 13 herë më të madhe se në vitin e mëparshëm, duke arritur rreth 2,5 GWh kapacitet të ri dhe duke u renditur në vendin e tretë në BE për rritjen vjetore të instalimeve.
Sipas raportit të SolarPower Europe, Bashkimi Evropian instaloi 27,1 gigavat-orë (GWh) kapacitet të ri të sistemeve të baterive në 2025, një rritje prej rreth 45 % krahasuar me vitin 2024, duke shënuar një rekord të 12-të radhazi vjetor të rritjes së kapacitetit të ruajtjes së energjisë.
Edhe në SHBA, kapacitetet e prodhimit të baterive janë dyfishuar që nga viti 2022 dhe kanë arritur në mbi 200 GWh në vitin 2024, si rezultat i kredive tatimore dhe politikave mbështetëse për prodhimin e baterive. Po ashtu, rreth 700 GWh kapacitete shtesë ndodhet nën ndërtim, duke treguar zgjerim të shpejtë dhe mbi 60 % rritje të kërkesës për bateritë gjatë dy viteve të fundit, njofton Energy Monitor.
Sipas IEA-së, bateritë pritet të mbeten një nga komponentët kryesorë të tranzicionit energjetik global, duke ndihmuar në arritjen e objektivave të uljes së emetimeve dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji gjatë dekadave të ardhshme.



