Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se erërat e forta që kanë përfshirë rajonet e Istogut, Pejës, Kaçanikut dhe Mitrovicës – veçanërisht zonat malore – kanë shkaktuar prishje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, dëmtimet kanë prekur edhe disa fshatra përreth këtyre komunave, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji për një numër konsumatorësh.
KEDS bën të ditur se ekipet teknike janë të angazhuara 24/7 në terren për identifikimin dhe sanimin e prishjeve, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për qytetarët e prekur, përcjell Energy Monitor.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo dëmtim të mundshëm në rrjet, në mënyrë që ndërhyrjet të realizohen në kohë dhe të minimizohet koha e ndërprerjes.



