Home / Lajme / Mjedisi / Gjakova nis plane për menaxhimin e riskut dhe përforcimin e qëndrueshmërisë me ndihmën e GIZ

Gjakova nis plane për menaxhimin e riskut dhe përforcimin e qëndrueshmërisë me ndihmën e GIZ

Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me GIZ – Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ka nisur procesin e hartimit të planeve për menaxhimin e riskut nga katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike. Qëllimi është të forcohet qëndrueshmëria e qytetit dhe rezistenca ndaj fatkeqësive të mundshme.

Procesi filloi me një punëtori ku morën pjesë Kryetari i Gjakovës, përfaqësues të departamenteve komunale, kompanive publike, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave dhe organizatave të shoqërisë civile që punojnë me komunitetet më të prekura.

Gjatë takimit u analizuan ngjarjet e fatkeqësive të mëparshme, u verifikuan të dhëna kyçe dhe u dhanë sugjerime për të udhëhequr punën e mëtejshme, përcjell Energy Monitor.

Ky aktivitet realizohet me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe të Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës. Ekipi i ekspertëve, vendas dhe ndërkombëtarë, po zhvillon analiza të detajuara për ngjarjet historike, të dhëna hapësinore dhe analiza të riskut, duke krijuar harta të rreziqeve, ekspozimit dhe ndjeshmërisë ndaj fatkeqësive, raporton Energy Monitor.

Planet e përgatitura do të përfshijnë edhe skenarë parashikues të ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit, duke mundësuar planifikim më të mirë të investimeve dhe zhvillimin e politikave vendore. Në këtë mënyrë, Komuna e Gjakovës do të jetë më e përgatitur për të reduktuar ndjeshmërinë ndaj fatkeqësive dhe për të promovuar zhvillim urban të qëndrueshëm dhe rezistent.

/Energy Monitor