Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton se ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Komunën e Obiliqit, me qëllim thellimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e projekteve me interes publik. Memorandumi u firmos nga Kryetari i Komunës, Halil Thaçi, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, Gramos Hashani.
Ky memorandum vendos një kornizë bashkëpunimi për koordinimin e projekteve prioritare në infrastrukturë, mbrojtje të mjedisit, menaxhim të pronës publike dhe nxitje të zhvillimit ekonomik lokal, në përputhje me ligjin dhe kompetencat institucionale, raporton Energy Monitor.
Palët do të bashkërendojnë veprimet për përmirësimin e rrugëve në zonat përreth operimeve të KEK, avancimin e menaxhimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor, si dhe mbështetjen e projekteve strategjike për komunitetin lokal.
Përmes këtij partneriteti, KEK riafirmon rolin e saj si partner institucional i përgjegjshëm dhe kontribues aktiv në zhvillimin e Obiliqit, duke konsoliduar bashkëpunimin afatgjatë dhe duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe qëndrueshmërinë ekonomike e mjedisore të zonës.



