Në Shqipëri u mbajt dje Ministeriali i Korridorit 8, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga ministritë e jashtme dhe institucione të tjera nga disa vende, përfshirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Në Shqipëri u mbajt dje Ministeriali i Korridorit 8, me fokus diskutimet mbi avancimin e bashkëpunimit në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal, raporton Anadolu.
Ministeriali organizohet nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga ministritë e jashtme dhe institucione të tjera nga disa vende, përfshirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali tha në hapje të ministerialit se Korridori 8 është aset strategjik për ndërlidhjen dhe sigurinë evropiane dhe se Shqipëria është një nga nyjet më të besueshme të këtij projekti.
Ajo shtoi se Korridori 8 nuk është thjesht një investim, por sipas saj është një domosdoshmëri strategjike.
“Shqipëria nuk po pret që Korridori VIII të ndodhë. Ne tashmë po e ndërtojmë atë. Në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit. Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim”, tha ajo.
Spiropali theksoi se Korridori 8 kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut.
“Korridori 8 është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Evropën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues. Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie”, tha Spiropali.
Mucunksi: Ne e njohim vlerën që Korridori 8 ka për lëvizshmërinë ushtarake dhe për NATO-n
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunksi tha se vendet pjesëmarrëse kanë rënë dakord se Korridori 8 është një lidhje shumë e rëndësishme midis Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi.
Ai shtoi se Korridori 8 është një korridor që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.
“Ne e njohim vlerën që ai ka për lëvizshmërinë ushtarake dhe për NATO-n dhe po kështu edhe për kontekstin e BE-së. Maqedonia e Veriut është në zemër të këtij korridori. Korridori 8 mund të shndërrohet në një aks jo vetëm ndërlidhshmërie transporti, por gjithashtu edhe lëvizshmërie energjetike dhe rezistence. Mund të forcojmë lidhjet energjetike dhe të mbështesim stabilitetin e rrjeteve”, tha ai.
Tajani: Për lëvizshmërinë e NATO-s ky korridor do të jetë i rëndësishëm
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme i Italisë, Antonio Tajani u shpreh se Korridori 8 është thelbësor për tregtinë. Ai shtoi sot më shumë se kurrë përfundimi i Korridorit 8 është një objektiv kyç sigurie dhe sipas tij për lëvizshmërinë e NATO-s ky korridor do të jetë i rëndësishëm.
“Edhe për Italinë Korridori 8 nuk është vetëm një zgjedhje teknike dhe infrastrukturore, është një zgjedhje politike, sepse kjo është pjesë e strategjisë tonë për ribashkimin e Ballkanit me historinë evropiane. Është një përparësi strategjike për qeverinë italiane dhe për mua personalisht”, tha Tajani.
Zëvendësministrit i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov tha se Korridori 8 duhet të vlerësohet në aspektin e rëndësisë së vet politike dhe strategjike, të ndikimit rajonal ekonomik dhe për mbrojtjen.
Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Serban u shpreh në hapje të ministerialit se aspekti strategjik i bën bashkë vendet pjesëmarrëse në këtë korridor.
Takimi synon të thellojë bashkëpunimin ndërqeveritar për përshpejtimin e zhvillimit të Korridorit 8, sipas autoriteteve, si një arterie strategjike transporti, zhvillimi ekonomik dhe sigurie.
Në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet edhe forumi ekonomik për Korridorin 8 me temë: “Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit 8”.
/aa.com.tr



