Turqia ka reaguar ndaj planeve të Greqisë për eksplorim hidrokarburesh pranë Kretës, duke i cilësuar ato shkelje të marrëveshjes detare Turqi–Libi të vitit 2019. Athina e sheh zgjerimin e kërkimeve si pjesë të strategjisë për pavarësi energjetike.
Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas reagimit të ashpër të Ankarasë ndaj planeve të Athinës për eksplorim hidrokarburesh në brigjet jugore të ishullit të Kretës. Ministria e Mbrojtjes e Turqisë i cilësoi si “të paligjshme dhe të njëanshme” aktivitetet e ndërmarra nga Greqia në bashkëpunim me një konsorcium të udhëhequr nga kompania amerikane Chevron.
Sipas autoriteteve turke, këto lëvizje bien ndesh me marrëveshjen detare të vitit 2019 të nënshkruar mes Turqisë dhe Libisë, e cila përcakton zonat e juridiksionit detar në Mesdheun Lindor. Marrëveshja, e depozituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është kundërshtuar vazhdimisht nga Greqia, e cila argumenton se ajo injoron praninë dhe të drejtat detare të ishullit të Kretës në përcaktimin e kufijve.
Ankaraja theksoi gjithashtu se aktivitetet e planifikuara nga pala greke prekin hapësira që, sipas interpretimit turk dhe dokumenteve të paraqitura në OKB në maj 2025, i përkasin juridiksionit detar të Libisë. Kjo pikë po përdoret nga Turqia për të sfiduar ligjshmërinë e operacioneve greke dhe për të paralajmëruar për pasoja të mundshme nëse aktivitetet vijojnë.
Nga ana tjetër, për Greqinë zgjerimi i kërkimeve për hidrokarbure konsiderohet si pjesë e një strategjie për të forcuar pavarësinë energjetike dhe për të rritur rolin e saj gjeopolitik në Mesdheun Lindor, një rajon me rëndësi të lartë strategjike dhe ekonomike.
Reagimi i Turqisë vjen vetëm një javë pas takimit në Ankara mes presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, ku u diskutuan çështjet detare dhe stabiliteti rajonal. Zhvillimet e fundit rrezikojnë të testojnë dialogun e nisur mes dy vendeve.



