Hungaria po shqyrton mundësinë e pezullimit të furnizimit me energji elektrike dhe gaz natyror për Ukrainën, pas vendimit të Kievit për të ndalur tranzitin e naftës përmes tubacionit Druzhba.
Sekretari shtetëror hungarez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Zoltan Kovacs, përcolli në rrjetin social X deklaratat e shefit të Zyrës së Kryeministrit, Gergely Gulyas.
Gulyas bëri të ditur se në mbledhjen e fundit të qeverisë është diskutuar çështja e garantimit të sigurisë energjetike të Hungarisë. Sipas tij, për të siguruar stabilitetin e furnizimit, qeveria ka liruar rezervat strategjike të naftës, të cilat mjaftojnë për rreth tre muaj.
Ai shtoi se, në përgjigje të veprimeve që Budapesti i konsideron armiqësore nga Ukraina, eksportet e naftës dizel drejt këtij vendi janë pezulluar.
Gjithashtu, qeveria po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike dhe gaz natyror për aq kohë sa Kievi mban në fuqi vendimin për bllokimin e tranzitit të naftës.



