Organizuar nga kompania “R50kt” Shpk, Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunën më 30 mars do të mbahet një debat publik lidhur me projektin për ndërtimin e parkut të energjisë diellore në fshatin Ramjan.
Ky debat mbahet për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për Pëlqim Mjedisor, për parkun e energjisë diellore në lokalitetin Ramjan, Komuna Viti.
Projekti për ndërtimin e Parkut të Energjisë Diellore me kapacitet të instaluar 150 MWp dhe prodhim vjetor të pritshëm prej 213902 MWh/vit është përgatitur nga Kompania ,,R50kt” SH.P.K. Prishtinë. Kompania “R50kt” Sh.P.K. është themeluar në vitin 2023, dhe ushtron veprimtari në fushën e energjisë së ripërtëritshme.
Në kuadër të aktiviteteve të saj, kompania ka përgatitur projektin dhe planifikon të ndërtojë Parkun e Energjisë Diellore në lokalitetin Ramjan, në vendin e quajtur “Bagdat”, zona kadastrale Ramjan, Komuna e Vitisë, me sipërfaqe totale prej 157.12 ha
Debati do të zhvillohet në Viti dhe synon të informojë qytetarët për detajet e projektit, ndikimin në mjedis, përfitimet ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit lokal që pritet të sjellë ky investim.



