Tubacioni përmes të cilit transsportohet derivati dizel nga Rafineria në Selanik drejt rafinerisë OKTA në Shkup, pas 13 viteve sërish vihet në përdorim. Ministria e Energjetikës sot kumtoi se janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për funksionalitetin e sistemit dhe se ky është hap i rëndësishëm për përforcimin e sigurisë në furnizimin me derivate të naftës.
Kontrolli u krye nga ana e Byrosë për metrologji me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Instituti metrologjik çek (CMI) dhe laboratori “Metron” nga Selaniku, në prani të përfaqësuesve nga Shërbimi doganor.
“Sipas ministres së Energjetikës, Sanja Bozhinovska, korrektësia teknike dhe saktësia e matjes janë parakushte kyçe për funksionim të sigurt dhe transparent të infrastrukturës energjetike.
“Ky është hap i rëndësihëm drejt vendosjes së një sistemi të sigurt dhe modern për furnizim me derivate. Matja e saktë, kontrolli dhe verifikimi ndërkombëtar do të thonë besim, stabilitet dhe siguri afatgjate energjetike për shtetin”, theksoi Bozhinovska.
Tubacioni, i lëshuar në funksion në vitin 2022 për bartje të naftës së papërpunuar, pas vitit 2013 ishte lëndë e investimeve për ridedikimin e tij në infrastrukturën për transport të derivateve dizel.
Bëhet fjalë për sistem në gjatësi prej 213,5 kilometrave. Infrastruktura disponon me 15 stacione bllok-ventilimi për menaxhim të përmirësuar dhe nivel të lartë të sigurisë, kapacitete deponuese prej 80.000 m³ në Greqi dhe 30.000 m³ në Maqedoni të Veriut, si dhe sistem bashkëkohor SCADA për ndjekje të presionit, temperaturës dhe qarkullimit në kohë reale, që garanton siguri afatgjate dhe efikasitet.



