Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën pas konfliktit është përqendruar në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të sundimit të ligjit, administratës së të hyrave dhe rregullatorëve të pavarur. Dy nga shembujt më të suksesshëm të këtij bashkëpunimi janë Dogana e Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilat për vite me radhë janë konsideruar histori suksesi në zhvillimin institucional dhe modele për rajonin.
Megjithatë, sipas Oda Ekonomike Britanike në Kosovë (BCCK), që nga viti 2020 KPMM ka hasur në vështirësi të vazhdueshme operacionale, si me Bord të Drejtorëve ashtu edhe pa të, duke qenë shpesh jofunksionale.
Kjo situatë, sipas Odës, ka krijuar sfida serioze për industrinë minerare, ka penguar funksionimin normal të sektorit dhe ka dëmtuar reputacionin e institucionit si një nga më kredibilët në vend, përcjell Energy Monitor.
Më pak se 20% e aplikimeve të trajtuara
Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të KPMM-së tregojnë se Bordi i fundit, i emëruar në maj 2024, ka lëshuar vetëm 60 licenca nga 316 aplikime të dorëzuara – pra më pak se 20% e tyre. Të gjitha licencat e miratuara kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar aplikimet e lidhura me Trepça.
Koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor për shqyrtim është tre muaj, me mundësi shtesë prej dy muajsh në raste të veçanta – maksimumi pesë muaj në total.
Për krahasim, në vitin 2020 KPMM menaxhonte 854 licenca. Vetëm në periudhën janar–gusht 2020 janë lëshuar 167 licenca brenda shtatë muajve. Ndërkaq, gjatë mandatit të fundit dyvjeçar janë lëshuar vetëm 60 licenca, ndërsa aktualisht janë rreth 160 licenca nën menaxhim.
Mungesë raportimi dhe trajtim i pabarabartë
BCCK thekson se KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe llogaridhënieje, përcjell Energy Monitor.
Po ashtu, Oda ka evidentuar trajtim jo të barabartë të kompanive private në raport me ndërmarrjet shtetërore, si KEK dhe Trepça, duke theksuar se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha palët, pavarësisht pronësisë.
Pasoja ekonomike: rritje çmimesh dhe rënie interesi
Sipas BCCK-së, mungesa e licencimit për gurthyesit dhe komplikimet e krijuara pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pronë Publike kanë detyruar Kosovën të importojë sasi të mëdha rëre dhe zhavorri nga vendet fqinje. Si pasojë, janë rritur çmimet e rërës, zhavorrit, betonit dhe materialeve të tjera ndërtimore.
Kosova dikur njihej për legjislacionin e saj të avancuar minerar, të bazuar në praktikat më të mira australiane dhe në parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”. Sipas Odës, moszbatimi i afateve ligjore dhe dobësimi i sundimit të ligjit kanë çuar në rënie të kredibilitetit institucional dhe në ulje të interesit të investitorëve të huaj.
Statistikat tregojnë se vetëm 0.01% e projekteve të hulumtimit përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri në 30 vitesh pune intensive. Kjo, sipas BCCK-së, dëshmon se investitorët seriozë kërkojnë stabilitet afatgjatë juridik dhe institucional.
Thirrje për zbatim të ligjit dhe rikthim të funksionalitetit institucional
Në reagimin e saj, Oda Ekonomike Britanike në Kosovë kërkon trajtimin e përshpejtuar të të gjitha aplikacioneve të mbetura dhe respektimin e plotë të afateve ligjore, duke theksuar se KPMM duhet të përgjigjet brenda afatit prej tre muajsh, dhe jo më vonë se pesë muaj në raste specifike të parashikuara me ligj.
Po ashtu, BCCK kërkon hartimin dhe miratimin e një Strategjie të re Minerare të Kosovës, duke qenë se strategjia e mëparshme ka skaduar në vitin 2025, si dhe plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së për të rikthyer funksionalitetin e plotë dhe kapacitetin operacional të institucionit, njofton Energy Monitor.
Sipas Odës, vetëm përmes zbatimit konsekuent të ligjit, forcimit të llogaridhënies dhe garantimit të barazisë para ligjit mund të rikthehet besimi i investitorëve dhe të ruhet potenciali i Kosovës si një nga territoret më atraktive në rajon për hulumtime dhe zhvillim minerar.



