Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Rritet konsumi i energjisë në janar, prodhimi u rrit me 68.6%

Shqipëri: Rritet konsumi i energjisë në janar, prodhimi u rrit me 68.6%

Janari i vitit 2026 ka sjellë një kthesë të fortë në treguesit energjetikë të Shqipërisë, duke reflektuar një kombinim të kushteve të favorshme hidrike dhe rritjes së konsumit. Të dhënat e publikuara nga operatori i sistemit të transmisionit në Shqiperi (OST) tregojnë se ngarkesa totale në sistemin e transmetimit arriti në 851.5 GWh, nga 743.4 GWh në janar 2025, një rritje prej 14.5% në terma vjetorë.

Sistemi energjetik ka hyrë në vitin 2026 me një kërkesë dukshëm më të lartë, çka sugjeron një kombinim të motit më të ftohtë, aktivitetit ekonomik më intensiv dhe konsumit më të lartë familjar.

Por zhvillimi më domethënës është në anën e prodhimit. Prodhimi total në janar 2026 arriti në 1,249,173 MWh, nga 740,748 MWh në janar 2025, duke regjistruar një rritje të fortë prej 68.6%. Kjo është një nga rritjet më të ndjeshme vjetore të viteve të fundit.

Motori kryesor i këtij zgjerimi janë hidrocentralet me rezervuar, të cilat prodhuan 890,024 MWh, ose 78.4% më shumë se një vit më parë. Edhe hidrocentralet me derivacion shënuan rritje të ndjeshme me 56.5%, duke arritur në 327,164 MWh. Kjo konfirmon ndikimin vendimtar të kushteve hidrike në balancën energjetike të vendit.

Ndërkohë, prodhimi nga energjia fotovoltaike u rrit me 44%, duke arritur në 29,598 MWh, duke konsoliduar gradualisht peshën e saj në miksin energjetik, ndonëse kontributi mbetet ende modest krahasuar me hidroenergjinë.

Në kahun e kundërt, termocentralet (TEC) shënuan një rënie drastike prej 80.2%, me prodhim që zbriti në vetëm 2,387 MWh. Kjo tregon se sistemi ka pasur më pak nevojë për burime më të kushtueshme apo më pak eficiente, falë bollëkut të prodhimit hidro.

Në total, janari 2026 paraqitet si një muaj me bilanc energjetik dukshëm më të fortë: konsum më i lartë, por edhe prodhim shumë më i lartë vendas, duke reduktuar potencialisht nevojën për importe dhe presionin mbi kostot e sistemit.

Nëse trendi i kushteve hidrike pozitive vijon, viti 2026 mund të nisë me një pozicion më të konsoliduar energjetik krahasuar me një vit më parë, duke krijuar hapësirë për stabilitet më të madh në tregun e energjisë. /ekofin.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com