Home / Lajme / Mjedisi / Raporti: Bie ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike në Kosovë

Raporti: Bie ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike në Kosovë

Përdorimi i qeseve plastike në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ Nr. 07/2023, i cili parasheh tarifë prej 0.05 euro për çdo qese plastike të lehtë. Sipas raportit të fundit të vlerësimit, kjo masë ka nxitur ndryshime të dukshme në sjelljen e konsumatorëve dhe në funksionimin e tregut brenda një periudhe relativisht të shkurtër zbatimi.

Të dhënat e mbledhura nga shitësit me pakicë tregojnë ulje të konsiderueshme të numrit të qeseve të shpërndara. Për vitin 2024, konsumi mesatar vjetor vlerësohet në rreth 55 qese plastike për person, më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 66.6 qese për person, dhe dukshëm nën objektivin e përcaktuar nga UA Nr. 07/2023 për vitin 2024, i cili ishte 180 qese për person.

Qëllimi i vlerësimit ka qenë analizimi i progresit të arritur që nga zbatimi i udhëzimit administrativ, me fokus në përputhshmërinë e kategorive të ndryshme të shitësve me pakicë, koordinimin institucional, ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve dhe ndikimin e politikës në reduktimin e mbeturinave plastike.

Raporti është hartuar mbi bazën e rishikimit fillestar të dokumenteve ligjore dhe politike përkatëse, si dhe përmes analizës së të dhënave sasiore – përfshirë regjistrat institucionalë, anketat dhe të dhënat e shitësve – të kombinuara me gjetje cilësore nga vizitat në terren, intervistat dhe diskutimet në grupe fokusi.

Sipas raportit, ky vlerësim ofron një bazë të rëndësishme për vendimmarrje të mëtejshme, forcim të mekanizmave të zbatimit dhe përshpejtim të përparimit të Kosovës drejt ekonomisë qarkore dhe harmonizimit me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.

Realizimi i vlerësimit është mbështetur nga GIZ dhe pasqyron diskutimet e zhvilluara gjatë vitit 2024 ndërmjet institucioneve përgjegjëse, palëve të interesit dhe ekspertëve të angazhuar në këtë proces.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com