KEDS Energy ka përmbyllur me sukses auditimin e jashtëm të ri-vlerësimit të Sistemit të Integruar të Menaxhimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare ISO 9001, ISO 45001 dhe ISO 14001.
Pas përfundimit të ciklit trevjeçar të certifikimit dhe auditimeve të rregullta të mbikëqyrjes, procesi i vlerësimit të jashtëm është mbyllur me komente dhe vlerësime pozitive nga auditorët, duke konfirmuar përputhshmërinë me kërkesat e standardeve përkatëse.
Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të KEDS ndaj cilësisë së shërbimeve dhe performancës organizative, shëndetit dhe sigurisë në punë, si dhe mbrojtjes së mjedisit, përcjell Energy Monitor.
Përmes këtij sistemi të integruar, kompania synon të sigurojë ofrim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të shërbimeve për konsumatorët dhe komunitetin në përgjithësi.
Çka nënkuptojnë standardet ISO 9001, ISO 45001 dhe ISO 14001?
ISO 9001, ISO 45001 dhe ISO 14001 janë standarde ndërkombëtare që përcaktojnë kërkesat për sisteme të menaxhimit në fusha të ndryshme të biznesit dhe organizatave.
- ISO 9001 fokusohet në menaxhimin e cilësisë dhe garantimin që produktet ose shërbimet e ofruara të plotësojnë kërkesat e klientëve dhe të përmirësojnë vazhdimisht proceset brenda organizatës.
- ISO 45001 është standardi për shëndetin dhe sigurinë në punë, duke ndihmuar organizatat të identifikojnë dhe menaxhojnë rreziqet për punonjësit, të parandalojnë aksidentet dhe të krijojnë një mjedis pune të sigurt.
- Ndërsa ISO 14001 përqendrohet në menaxhimin mjedisor, duke ndihmuar organizatat të reduktojnë ndikimin e tyre në mjedis, të përmbushin ligjet dhe rregulloret ambientale, dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të tyre.
Së bashku, këto standarde krijojnë një Sistem të Integruar të Menaxhimit, që mbulon cilësinë, sigurinë e punonjësve dhe përgjegjësinë mjedisore, duke i mundësuar kompanive të operojnë në mënyrë më efikase, të sigurt dhe të qëndrueshme.



