Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) po analizojnë aplikimet e operatorëve energjetikë për të rritur çmimin e energjisë elektrike për vitin 2026.
Sipas kërkesave të KOSTT, KEDS dhe KESCO, rritja e tarifave do të arrinte 18%, duke e çuar të ardhurat e lejuara maksimale në rreth 863 milionë euro, krahasuar me 730 milionë euro vitin e kaluar.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, kërkoi që institucionet të ndërmarrin masa për të zbutur ndikimin e shtrenjtimit tek qytetarët dhe bizneset. Ai sugjeroi heqjen e TVSH-së prej 10% për produktet thelbësore dhe largimin e taksës fikse nga faturat e energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
“Të hiqet TVSH prej 10% në produktet esenciale, të hiqet taksa në faturën e rrymës – ndoshta do ta balanconte sadopak këtë shtrenjtim të rrymës. Ne paguajmë taksë vetëm pse është ora e rrymës e vendosur”, deklaroi Ahmeti për Rtv21.
Ai shtoi se rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimi i tregut energjetik janë faktorë që kanë ndikuar në inflacionin e vendit, i cili sipas të dhënave të fundit ka arritur 5.8%.



