Home / Lajme / Kosova / Artane Rizvanolli në PDAC 2026 në Toronto, takime me institucione dhe përfaqësues të sektorit minerar në Kanada

Artane Rizvanolli në PDAC 2026 në Toronto, takime me institucione dhe përfaqësues të sektorit minerar në Kanada

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, po merr pjesë në PDAC 2026 në Toronto, një nga ngjarjet më të mëdha globale në fushën e eksplorimit mineral dhe industrisë minerare.

Konferenca e organizuar nga Prospectors & Developers Association of Canada mbledh mbi 27,000 pjesëmarrës nga më shumë se 125 shtete, me mbi 1,300 ekspozues dhe qindra prezantues nga industria, përcjell Energy Monitor.

Gjatë ditës së parë, ministrja Rizvanolli zhvilloi takime me përfaqësues institucionalë dhe të industrisë kanadeze, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Në këtë kuadër, ajo u takua me Cory Hughes, Zëvendësministër Ndihmës për Zhvillimin e Burimeve në Ministrinë e Energjisë dhe Burimeve të Saskatchewan-it, me Claude Gendron nga Korporata Komerciale Kanadeze, me Pamela Schwann, Presidente e Shoqatës Minerare të Saskatchewan-it, si dhe me Ahmed Hussen, anëtar i Parlamentit të Kanadasë dhe kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, raporton Energy Monitor.

Delegacioni i Republikës së Kosovës mori pjesë gjithashtu në sesione tematike të konferencës, duke ndjekur diskutimet mbi trendet globale në eksplorim, financim, teknologji dhe qeverisje të qëndrueshme të burimeve minerare.

Sektori minerar është përcaktuar si një nga prioritetet zhvillimore të Qeverisë së Kosovës për këtë mandat, me planifikim të një investimi publik prej rreth 50 milionë euro për zhvillimin e tij.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com