Meqenëse ngrohja dhe ftohja përbëjnë rreth një të tretën e konsumit përfundimtar të energjisë në Shqipëri, ndërsa burimet e ripërtëritshme mbulojnë vetëm rreth një të pestën e kësaj kërkese, ky sektor paraqet potencial të konsiderueshëm për përshpejtimin e dekarbonizimit dhe transformimin e sistemit energjetik, thuhet në njoftimin e Komunitetit të Energjisë.
Javën e kaluar, Shqipëria hodhi një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian për efiçiencën e energjisë, duke dorëzuar pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Vlerësimin Gjithëpërfshirës të Potencialit për Kogjenerim me Efiçiencë të Lartë dhe Sisteme Efikase të Ngrohjes dhe Ftohjes Qendrore (DHC), përcjell Energy Monitor.
Ky dokument pason njoftimet e ngjashme të Serbisë dhe Malit të Zi gjatë vitit të kaluar dhe sinjalizon një angazhim në rritje rajonal për dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes dhe ftohjes, sipas Komunitetit.
Vlerësimi krijon bazën për hartimin e politikave afatgjata dhe planifikimin sektorial, duke dërguar një sinjal të qartë për partnerët zhvillimorë, institucionet financiare dhe investitorët privatë mbi mundësitë për investime në energji të gjelbër.
Sektori i ngrohjes dhe ftohjes në Shqipëri mbetet plotësisht i decentralizuar dhe përfaqëson rreth një të tretën e konsumit total përfundimtar të energjisë.
Aktualisht, vetëm 22–23% e kërkesës mbulohet nga burime të ripërtëritshme, çka nënvizon potencialin e pashfrytëzuar dhe rolin kyç të këtij sektori në rrugën e dekarbonizimit të vendit, theksohet më tej në komunikatë.
Vlerësimi evidenton gjithashtu performancën e favorshme ekonomike të disa teknologjive të energjisë së ripërtëritshme, duke forcuar argumentin për zgjidhje të pastra të ngrohjes. Sistemet diellore termike identifikohen si opsioni më konkurrues për ujin e ngrohtë sanitar në të gjithë sektorët, ndërsa në industri kombinimi i energjisë diellore termike me pompa termike sjell përfitime shtesë ekonomike, njofton Energy Monitor.
Për ngrohjen e hapësirave, pompat termike konsiderohen teknologji kyçe tranzitore, ndërsa në shkallë më të gjerë sistemet e ngrohjes qendrore me biomasë ose zgjidhje hibride paraqiten si alternativa me kosto efektive, sipas Komunitetit të Energjisë.
Pas përfundimit të këtij procesi analitik, fokusi tashmë zhvendoset drejt zbatimit të projekteve konkrete në terren. Sekretariati përgëzon angazhimin e Shqipërisë dhe u bën thirrje palëve të tjera kontraktuese që të përmbyllin dhe të njoftojnë vlerësimet e tyre përkatëse, duke vijuar këtë momentum pozitiv drejt dekarbonizimit të sektorit të ngrohjes dhe ftohjes në rajon.



