Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Enea Karakaçi, gjatë një ceremonie në ministri ku u vlerësua puna e realizuar gjatë viteve të fundit në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës.
Gjatë fjalës së saj, Balluku falënderoi stafin e ministrisë për bashkëpunimin ndër vite, duke theksuar se gjatë shtatë viteve të drejtimit janë realizuar projekte që më parë konsideroheshin të vështira për t’u arritur.
“Unë jam këtu për t’i vënë një fund këtij rrugëtimi që kemi bërë së bashku në shtatë vite, por me gjurmë të jashtëzakonshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjatë këtij rrugëtimi jemi përballur me sfida të shumta, por ato na kanë bërë më të fortë dhe kanë krijuar një nga skuadrat më profesionale dhe më frymëzuese të administratës shqiptare”, u shpreh Balluku.
Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe është arritur rritje e ndjeshme e kapaciteteve prodhuese të energjisë, si dhe diversifikimi i portofolit energjetik të vendit. Sipas saj, një nga arritjet kryesore ishte edhe krijimi i bursës së parë shqiptare të energjisë, si dhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për eficiencën energjetike, e cila është bërë pjesë e politikave të qeverisë.
Balluku përmendi gjithashtu investimet në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e rrugëve dhe autostradave të reja, tuneleve moderne, si dhe zhvillimet në sektorin e aviacionit, duke veçuar transformimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe projektin për aeroportin e Vlorës.
Në fund të fjalës së saj, ajo vlerësoi vendimin e kryeministrit Edi Rama për t’i besuar drejtimin e ministrisë Enea Karakaçit, duke e cilësuar atë si zgjedhjen e duhur për të vijuar projektet dhe reformat e nisura në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës.



