Home / Lajme / Kosova / Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mirëpret gratë lidere të sektorit energjetik

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mirëpret gratë lidere të sektorit energjetik

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka mirëpritur vizitën e përfaqësueseve të Shoqatës së Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (SHGSEK/AWESK).

Anëtaret e shoqatës, disa nga inxhiniereve më të para dhe me përvojë të gjatë profesionale në vend, kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pozita të rëndësishme në institucione dhe organizata të sektorit energjetik. Kontributi i tyre konsiderohet thelbësor për zhvillimin e sektorit, ndërsa entuziazmi dhe përkushtimi i tyre shërbejnë si shembull për gjeneratat e reja të profesionisteve në energji.

Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, vuri në pah se projektet më të mëdha të institucionit mbajnë vulën e grave të suksesshme, pasi 64% e stafit të Fondit janë gra dhe dy sektorët kryesorë të operacioneve udhëhiqen nga to.

Drejtoresha Hoxha shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e secilës, duke nënvizuar rëndësinë e ngritjes së pozitës së gruas në shoqëri përmes profesionalizmit dhe veprimtarisë së tyre në fushën e energjisë, përcjell Energy Monitor.

Gjatë takimit u theksua gjithashtu roli kyç i grave jo vetëm si profesioniste të afta, por edhe si lidere që ndikojnë në politikat energjetike, promovojnë inovacionin dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

Ky bashkëpunim nënvizon rëndësinë e fuqizimit të grave në sektorin energjetik dhe përpjekjet për të krijuar një ambient ku gratë mund të jenë pjesë e vendimmarrjes, inovacionit dhe projekteve strategjike për të ardhmen e energjisë në vend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com