Kompania e shpërndarjes së energjisë KEDS ka certifikuar grupin e dytë të ekspertëve për siguri dhe shëndet në punë, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e kulturës së sigurisë në vendin e punës.
Programi “Ekspert për Siguri dhe Shëndet në Punë” organizohet nga Qendra Trajnuese e KEDS, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore.
Sipas kompanisë, programi është i akredituar nga Agjencia për Akreditim që nga janari i vitit 2025 dhe i licencuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke u mundësuar pjesëmarrësve të marrin kualifikim zyrtar në këtë fushë, përcjell Energy Monitor.
Trajnimi zgjat rreth 150 orë gjatë një periudhe tre mujore, gjatë së cilës pjesëmarrësit trajnohen nga ekspertë të brendshëm të kompanisë dhe pajisen me njohuri teorike dhe praktike sipas standardeve moderne dhe kombëtare të sigurisë në punë.
KEDS bëri të ditur gjithashtu se Qendra Trajnuese e kompanisë është e licencuar për të ofruar këtë program edhe për ekspertë nga jashtë kompanisë, duke kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e standardeve të sigurisë në punë edhe në sektorë të tjerë.



