Pas vendimit për kufizimin e marzhës së fitimit në tregun e derivateve të naftës, institucionet përgjegjëse kanë intensifikuar kontrollet në terren për të monitoruar çmimet dhe për të siguruar zbatimin e rregullave të reja.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se po zhvillon mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës, pas hyrjes në fuqi të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave mbrojtëse, të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari Lila më 4 mars 2026.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtyre kontrolleve është mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg, ruajtja e konkurrencës së ndershme dhe parandalimi i çrregullimeve të mundshme në tregun e derivateve.
Në kuadër të këtij procesi, Inspektorati është duke bashkëpunuar edhe me Administratën Tatimore të Kosovës për të analizuar të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet që u ofrohen konsumatorëve në tregun vendor, përcjell Energy Monitor.
Sipas të dhënave zyrtare nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës më 7 mars 2026 ka qenë 1.40 euro për litër për naftë (dizel), ndërsa për benzinë 1.14 euro për litër.
Ndërkohë, monitorimi në terren nga e shtuna e deri më tani ka treguar se çmimet në pikat e shitjes me pakicë për naftë (dizel) janë nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër, ndërsa për benzinë nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.
Marzhat tregtare të lejuara: 2 eurocentë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë
Bazuar në vendimin e 4 marsit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është vendosur edhe marzha tregtare maksimale e lejuar prej 2 eurocentë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë.
Sipas sqarimit të Ministrisë, marzha tregtare përfaqëson diferencën mes çmimit të furnizimit dhe çmimit të shitjes së produktit, njofton Energy Monitor.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka qenë aktiv në terren gjatë vikendit dhe edhe gjatë javës së kaluar, ndërsa ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në çdo rast ku identifikohen parregullsi, qoftë mosrespektim i marzhës së lejuar apo praktika që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria ka theksuar se qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me situatën në tregun e derivateve të naftës.



