Home / Lajme / Kosova / Renovimi që ul faturat e energjisë deri në 70%: investimi që kthehet brenda pesë vjetëve

Renovimi që ul faturat e energjisë deri në 70%: investimi që kthehet brenda pesë vjetëve

Investimi në izolim dhe masa të eficiencës së energjisë në shtëpi mund të ulë konsumin e energjisë deri në 70%, ndërsa familjet që i kanë zbatuar këto masa raportojnë se shpenzojnë vetëm një të tretën e energjisë që përdornin më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, investimi në izolim dhe përmirësime të tjera të eficiencës së energjisë zakonisht kthehet brenda rreth pesë vjetëve, falë faturave më të ulëta të energjisë. Pas kësaj periudhe, familjet vazhdojnë të kursejnë çdo dimër.

Kursimet mund të jenë të konsiderueshme. Në shumë raste, familjet raportojnë 350 deri në 450 euro kursime gjatë sezonit të dimrit, ndërsa edhe një masë e vetme – si izolimi i mureve, kulmit apo tavanit, vendosja e dritareve më efikase ose përmirësimi i sistemit të ngrohjes – mund të sjellë 80 deri në 200 euro kursime çdo dimër, përcjell Energy Monitor.

Përveç uljes së faturave, këto investime sjellin edhe përfitime të tjera për banorët, si shtëpi më të ngrohta gjatë dimrit, më pak lagështi dhe myk, më shumë rehati në ambiente të brendshme dhe temperatura më të freskëta gjatë verës.

Këto iniciativa promovohen në kuadër të projektit “Green Energy Future”, i cili financohet përmes marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Danimarkës.

Projekti zbatohet nga UNDP, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com