Sot përfundon afati për aplikim për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), një pozitë që ka mbetur pa drejtues të rregullt për më shumë se dy vjet e gjysmë.
KEK-u është duke funksionuar me ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2023, pas arrestimit, suspendimit dhe më pas shkarkimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi.
Përpjekjet për të zgjedhur një drejtues të ri deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi një konkurs kishte dështuar, ndërsa një tjetër përfundoi pa rezultat pasi kandidati i përzgjedhur, Ylber Batalli, refuzoi ta marrë detyrën, përcjell Energy Monitor.
Aktualisht ndërmarrja drejtohet nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Gramos Hashani, i cili u emërua në këtë pozitë në fund të shkurtit 2025. Para tij, këtë funksion e kishin ushtruar edhe Bekir Gërguri dhe Përparim Kabashi në periudha të ndryshme.
Me përfundimin e afatit të aplikimit sot, pritet të shihet nëse KEK-u do të arrijë më në fund të zgjedhë një kryeshef ekzekutiv të rregullt, pas një periudhe të gjatë drejtimi me ushtrues detyre.



