Departamenti i Energjisë thotë se ky veprim është pjesë e përpjekjeve të koordinuara nga vendet e IEA-së për të stabilizuar tregjet.
Departamenti Amerikan i Energjisë tha të mërkurën se do të lirojë 172 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike e Naftës duke filluar nga java e ardhshme, ndërsa vazhdon lufta me Iranin, transmeton Anadolu.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright tha se ky veprim vjen pas një vendimi të koordinuar nga anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
“Më herët sot, 32 vende anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ranë dakord unanimisht për kërkesën e presidentit (Donald) Trump për të ulur çmimet e energjisë me një lirim të koordinuar prej 400 milionë fuçi naftë dhe produktesh të rafinuara nga rezervat e tyre përkatëse”, tha Wright në një deklaratë.
Vendimi vjen pasi konflikti ka ndërprerë në mënyrë efektive transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore strategjike që normalisht transporton rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, afërsisht 20 për qind të tregtisë globale të naftës duke ngritur shqetësime në lidhje me mungesat e furnizimit dhe rritjen e çmimeve në tregjet globale të energjisë.
“Presidenti Trump premtoi të mbrojë sigurinë energjetike të Amerikës duke menaxhuar Rezervën Strategjike të Naftës në mënyrë të përgjegjshme dhe ky veprim tregon angazhimin e tij ndaj këtij premtimi”, tha Wright.
Ai kritikoi administratën e mëparshme, duke thënë se SHBA-të kanë rregulluar rimbushjen e rezervave me rreth 200 milionë fuçi brenda vitit të ardhshëm, afërsisht 20 për qind më shumë naftë sesa do të lirohet pa asnjë kosto për taksapaguesit.
“Për 47 vjet, Irani dhe përfaqësuesit e tij terroristë kanë synuar të vrasin amerikanët. Ata kanë manipuluar dhe kërcënuar sigurinë energjetike të Amerikës dhe aleatëve të saj. Nën presidentin Trump, këtyre ditëve po u vjen fundi”, tha Wright.
Departamenti i Energjisë tha se sapo nafta të fillojë të lirohet nga Rezerva Strategjike e Naftës javën e ardhshme, dërgesat do të zgjasin rreth 120 ditë bazuar në normat e planifikuara të shkarkimit.
“Qëndroni të sigurt, siguria energjetike e Amerikës është aq e fortë sa kurrë”, tha Wright.



