Home / Lajme / Ndërkombëtare / Komisioneri evropian: Energjia e ripërtëritshme është e vetmja rrugëdalje nga kriza energjetike, përjashtohet rikthimi te Rusia

Komisioneri evropian: Energjia e ripërtëritshme është e vetmja rrugëdalje nga kriza energjetike, përjashtohet rikthimi te Rusia

Komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jorgensen, deklaroi se përshpejtimi i investimeve në energjinë e ripërtëritshme është e vetmja rrugë e qëndrueshme për të dalë nga kriza energjetike që po përjeton Evropa.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, të nxitura nga lufta SHBA-Izrael me Iranin dhe nga pushtimi i vazhdueshëm rus i Ukrainës.

Jørgensen ritheksoi angazhimin e fortë të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund të gjitha importeve të energjisë nga Rusia, duke deklaruar se Evropa nuk duhet të importojë “asnjë molekulë” karburantesh fosile ruse.

Duke folur për mediat para mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet t’i rezistojë çdo tundimi për t’u rikthyer te furnizimet ruse, pavarësisht ofertave nga Moska dhe presionit që vjen nga rritja e kostove të energjisë.

Sipas tij, problemi aktual nuk lidhet me mungesën e furnizimit, por me çmimet e larta në tregun global të energjisë.

“BE-ja nuk varet aq shumë nga furnizimi me gaz dhe naftë nga këto zona, ndaj nuk kemi një problem sigurie energjetike, por një problem çmimesh”, u shpreh ai.

Komisioneri theksoi se Evropa ndodhet në një situatë shumë më të mirë se në vitin 2022, pasi sistemi energjetik ka më shumë burime të ripërtëritshme dhe furnizimi është diversifikuar ndjeshëm.

“Ne kemi më shumë energji të ripërtëritshme në sistemin tonë dhe kemi diversifikuar burimet e furnizimit. Të gjitha këto janë rezultat i vendimeve të marra pas shpërthimit të luftës në Ukrainë”, tha ai.

Megjithatë, Jørgensen pranoi se zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë konfliktin me Iranin, po ndikojnë në tregjet e energjisë. Sipas tij, është thelbësore që Evropa të vazhdojë në të njëjtën linjë dhe të përshpejtojë sa më shumë investimet në energjinë e pastër.

Ai shtoi se mënyra e vetme për të ulur çmimet e energjisë në Evropë është rritja e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, duke përshpejtuar procedurat e lejeve dhe duke forcuar ndërlidhjen energjetike mes vendeve.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit belg Bart De Wever, i cili sugjeroi se një marrëveshje paqeje me Rusinë mund të hapte rrugën për rikthimin e energjisë së lirë ruse në të ardhmen, Jørgensen e hodhi poshtë këtë ide duke e cilësuar “një gabim”.

Ai theksoi se Evropa tashmë ka vendosur të mos importojë më energji nga Rusia dhe se ndalimi i gazit rus është përfshirë edhe në legjislacion, ndërsa një ndalim i naftës ruse është gjithashtu në shqyrtim.

“Nuk mund të ndihmojmë indirekt financimin e luftës brutale dhe të paligjshme të Rusisë. Për shumë vite kemi qenë tepër të varur nga energjia ruse, gjë që i ka dhënë mundësi Vladimir Putinit të na shantazhojë dhe ta përdorë energjinë si armë kundër nesh”, tha Jorgensen.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur të vazhdojë në këtë drejtim.

Ndërkohë, në Belgjikë, presidenti i partisë socialiste flamande Vooruit, Conner Rousseau, deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë është i pamundur, duke e cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si “të pabesueshëm”.

“Kryeministri mund të flasë në emrin e tij personal, por nuk mund të flasë në emër të qeverisë dhe të pretendojë se tani duam papritur t’i lutemi Putinit për energji të lirë”, tha Rousseau për VTM NIEUWS.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com