Home / Lajme / Kosova / Kosova, shembull pozitiv në rajon – dyfishon pjesëmarrjen e grave në energji brenda katër vitesh

Kosova, shembull pozitiv në rajon – dyfishon pjesëmarrjen e grave në energji brenda katër vitesh

Vendet e Komunitetit të Energjisë po intensifikojnë përpjekjet për të rritur rolin e grave në sektorin e energjisë, duke e konsideruar barazinë gjinore si element kyç për një tranzicion të drejtë dhe të suksesshëm energjetik.

Sipas një publikimi të fundit të Komunitetit të Energjisë, gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në këtë sektor në gjithë rajonin, duke përbërë vetëm rreth 17–18% të fuqisë punëtore në energji.

Megjithatë, trendi është në ndryshim, dhe një nga shembujt më të theksuar vjen nga Kosova, njofton Energy Monitor.

Sipas ministres së ekonomisë, Artane Rizvanolli, pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë në Kosovë është rritur nga 9% në vitin 2021 në 20% në vitin 2025. Ky progres është arritur përmes trajnimeve të targetuara, programeve të praktikës dhe përfshirjes më të madhe të grave në pozita udhëheqëse.

“Për Kosovën, tranzicioni energjetik përfaqëson jo vetëm një kalim drejt sistemeve më të pastra dhe më të qëndrueshme të energjisë, por edhe një mundësi strategjike për të avancuar një model më gjithëpërfshirës të zhvillimit,” ka thënë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përcjell Energy Monitor.

Institucionet në Kosovë kanë vendosur një objektiv të qartë: arritjen e 25% pjesëmarrjes së grave në sektor deri në vitin 2031, duke e vendosur barazinë gjinore në qendër të tranzicionit energjetik.

Në nivel rajonal, vendet e Komunitetit të Energjisë po ndërmarrin masa të ndryshme për të promovuar përfshirjen e grave, përfshirë programe edukimi, mentorimi dhe zhvillimi profesional. Qëllimi është që sektori i energjisë të bëhet më gjithëpërfshirës, por edhe më efektiv, pasi diversiteti në vendimmarrje lidhet me inovacion më të madh dhe rezultate më të mira.

Sipas Komunitetit të Energjisë, një tranzicion i drejtë drejt energjisë së pastër nuk mund të arrihet pa përfshirjen e plotë të grave në të gjitha nivelet e sektorit – nga teknika dhe operimi, deri te menaxhimi dhe politika-bërja.

Në këtë kontekst, zhvillimet në Kosovë tregojnë një ndryshim të qartë drejt një sektori më gjithëpërfshirës, duke e pozicionuar vendin si një nga rastet pozitive në rajon në rritjen e rolit të grave në energji.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com