Tetë projekte energjetike janë përzgjedhur në listën e ngushtë të Projekteve me Interes të Komunitetit të Energjisë (PECI), ndërsa nga dy prej tyre përfiton drejtpërdrejt Kosova.
Projektet që lidhen me Kosovën janë ndërtimi i linjës së re 400 kV mes Prizrenit dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Ky interkoneksion konsiderohet kyç për rritjen e kapaciteteve ndërkufitare dhe për integrimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme në rajon.
Paralelisht, një tjetër projekt strategjik për Kosovën është rikonfigurimi i rrjetit 400 kV dhe ndërtimi i një interkoneksioni të ri me Shqipërinë, përcjell Energy Monitor.
Ky projekt përfshin zgjerimin e nënstacioneve dhe ndërtimin e një linje të re mes Fierzes dhe zonës së Prizrenit, duke lehtësuar mbingarkesën ekzistuese në rrjetin 220 kV. Ai konsiderohet thelbësor për të mundësuar integrimin e mbi 1 GW kapacitetesh të planifikuara të energjisë së erës në verilindje të Shqipërisë, si dhe për të rritur shkëmbimet tregtare të energjisë në rajon.
Lista është përzgjedhur nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë pas shqyrtimit të 27 propozimeve fillestare. Projektet e përzgjedhura do të kalojnë në fazën e konsultimit publik, përpara se të merret vendimi përfundimtar, njofton Energy Monitor.
Dominimi i projekteve të rrjetit të transmetimit në këtë listë tregon qartë se rajoni përballet me mungesë të kapaciteteve infrastrukturore, të nevojshme për të përballuar tranzicionin energjetik dhe rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme.
Projektet e përfshira në listën e ngushtë janë:
- Linja 400 kV Prizren (Kosovë) – Tetovë (Maqedonia e Veriut).
- Linja 400 kV Bajina Bašta (Serbi) – Višegrad (Bosnjë dhe Hercegovinë).
- Linja 400 kV Pljevlja (Mali i Zi) – Bajina Bašta (Serbi).
- Linja 400 kV Lastva (Mali i Zi) – Trebinje (Bosnjë dhe Hercegovinë).
- Rikonfigurimi i rrjetit 400 kV në Shqipëri dhe ndërtimi i një lidhjeje të re ndërkufitare Shqipëri – Kosovë.
- Zgjerimi i hidrocentralit reversibil Moglicë në Shqipëri.
- Projekt për përforcimin e rrjetit të transmetimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, me fokus rritjen e kapaciteteve dhe reduktimin e kufizimeve.
- Projekt për modernizimin e rrjetit të transmetimit në Mal të Zi, që synon rritjen e stabilitetit të sistemit.
Këto projekte vlerësohen si thelbësore për përmirësimin e ndërlidhjes rajonale, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e kushteve për integrimin më të madh të energjisë së ripërtëritshme.
Konsultimi publik për këto projekte do të zgjasë deri në prill, ndërsa lista përfundimtare e projekteve PECI pritet të miratohet gjatë vitit 2026./Energy Monitor



