Home / Highlights / Sipas të dhënave të Eurostat-it, Kosova ndër vendet e fundit në Ballkan me kapacitete të energjisë së ripërtëritshme

Sipas të dhënave të Eurostat-it, Kosova ndër vendet e fundit në Ballkan me kapacitete të energjisë së ripërtëritshme

Investimet e planifikuara në ngritje të kapaciteteve të reja të energjisë elektrike të ripërtëritshme i ka dështuar edhe Qeveria Kurti, e cila nuk përmbushi, praktikisht asnjë parashikim, synim, apo edhe premtim për të ngritur ndonjë kapacitet gjenerues nga ato të energjisë së gjelbër (kapacitet solare, apo në bazë të erës).

Në botë dhe në rajon ka vite që kanë nisur të shtohen hovshëm investimet në ndërtimin e kapaciteteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe në këtë plan tashmë janë arritur rezultate mbresëlënëse. Në rritjen e kapaciteteve të energjisë nga uji, dielli dhe nga era në këtë fillim vit të 2026-tës, në botë shquhen sidomos Suedia me rreth 63 për qind energji të ripërtëritshme, e ndjekur nga Finlanda me 52 për qind dhe Danimarka me 47 për qind, ndërsa në Ballkan, sipas të dhënave të vitit 2024 të Eurostat-it, prinë Shqipëria me rreth 43.1 për qind të energjisë së konsumuar në vend të prodhuar nga burime të ripërtëritshme, kryesisht hidrocentrale, por edhe nga kapacitete të energjisë solare.

Me fjalë të tjera, në rajonin e Ballkanit, Shqipëria renditet ndër vendet me peshën më të lartë të energjisë së ripërtëritshme. Në vitin 2024, Serbia kishte rreth 25.9%, Maqedonia e Veriut 21.8%, ndërsa Kosova 18 për qind. Vetëm Mali i Zi (me rreth 41 për qind të energjisë së ripërtëritshme) dhe Bosnje Hercegovina (me rreth 40 për qind) kanë nivele të krahasueshme me Shqipërinë, ndërsa shumica e ekonomive të tjera mbeten dukshëm më poshtë.

Investimet e planifikuara në ngritje të kapaciteteve të reja të energjisë elektrike të ripërtëritshme i ka dështuar edhe Qveria Kurti, e cila nuk përmbushi, praktikisht asnjë parashikim, synim, apo edhe premtim për të ngritur ndonjë kapacitet gjenerues as nga ato të energjisë së gjelbër (kapacitet solare, apo në bazë të erës) as në bazë të qymyrit, burimin thuaja të pashterrshëm që Kosovës ia ka falur natyra. Në këtë mënyrë, Kosova edhe në dimrin e sivjetshëm, e mbase edhe në dimra të tjerë do të varet në masë të madhe nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike, ose nga terri (reduktimet e egra) në konsumin e vendit.

Më konkretisht, Kosova, ekzekutivi i vendit, nuk ka përmbushur zotimin që brenda 3 vjetëve kapaciteti i prodhimit të energjisë së gjelbër të arrijë në 500 megavatëshin. Në këto vite (në periudhën e 3-4 vjetëve të fundit), në Republikën tonë nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i energjisë së ripërtëritshme. Vizionet, të vijëzuara edhe në dokumente zhvillimore dhe projektet e paralajmëruara kanë mbetur ende në faza tenderimi apo parakualifikimi, ndërsa projektet e nisura kanë mbetur në vendnumëro, praktikisht.

Tashmë kanë kaluar tre vjetët e premtuara nga Ministrja Artane Rizvanolli, për të pasur Kosova 500 megavatë nga burime të energjisë solare dhe të erës, dhe vendi ka mbetur vetëm me Parkun e Erës në Shalë të Bajgorës me 105 megavatë (i ndërtuar më 2021) dhe me Parkun e Erës në Kitkë të Kamenicës me 34 megavatë dhe dhjetëra megavatë nga minihidrocentralet ekzistuese dhe ato të reja, të ndërtuar në vitet e pasluftës në lumenj dhe rrjedha ujore të vendit.

“Brenda tre vjetësh do të arrihet kapacitet deri në 500 megavatë i energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore”, kishte thënë ministrja Artane Rizvanolli më 7 qershor 2022.

Dhe sot kur ka kaluar gjysma e marsit të 2026-tës, Kosova nuk ka asnjë impiantë të ri të energjisë së gjelbër. Dhe, sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Kosova aktualisht prodhon vetëm 280 megavatë nga energjia e ripërtëritshme. Por duhet sqaruar se 280 megavtë të instaluar të energjisë së ripërtëritshme, nuk do të thotë që sistemi elektroenergjetik ka në dispozicion megavatët e instaluar. Sepse, dihet, energjia nga burimet solare prodhohet vetëm kur ka diell dhe në asnjë rast gjatë natës, ndërsa ajo në bazë të erës, vetëm kur ka erë të mjaftueshme për t’i rrotulluar elisat e impiantëve në bazë të erës. Kjo do të thotë, Kosova realisht ka shumë më pak energji të ripërtëritshme për ta zbutur mungesën e madhe të rrymës.

Duhet thënë se në këto vite, nuk janë finalizuar, madje opinioni nuk di saktësisht se në c’fazë të ndërtimit janë projekti solar nga ankandi i parë në vend për ndërtimin e një kapaciteti me diell 100 megavatësh, i paraparë dhe i nisur të ndërtohet në një fshat të Rahovecit, sikundër nuk ka shumë të dhëna rreth punëve të bëra deri tash për ndërtimin e një “solare” tjetër në tokat e KEK-ut, po kështu me kapacitet 100 megavatësh. Nuk ka njoftime zyrtare as për fatin e projektit “Solar4Kosovo”, të paraparë të ndërtohet për nevojat e ngrohjes qendrore për një rajon të caktuar të kryeqytetit.

Tashmë dihet se muaj më parë pati filluar edhe projekti 100 megavatësh nga era, dhe, njësoj opinioni di fare pak se ku kanë mbërritur punët për ngritjen e këtij kapaciteti. Kur kihen parasysh dështimet në këto vite të ndërtimit të projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe shtimit të megavatëve nga energjia e gjelbër, nënkuptohet se Kosova do të ketë shumë vështirësi dhe kushtimisht duhet të bëjë shumë sakrifica për ta realizuar sa më efektshëm rrugën e tranzicionit të gjelbër, që jo pak qendra vendimmarrëse në Europë e ndërlidhin dhe e vlerësojnë se është edhe rruga drejt BE-së. Në këtë mënyrë mbetet ëështje e hapur edhe përmbushja e parashikimeve të të Strategjisë të Kosovës për Energji 2022-2031, në të cilën parashihet që brenda kësaj periudhe kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë së ripërtëritshme të arrijë në 1,600 megavatë. Tani për tani nuk ka edhe shumë sinjale se zyrtarët kompetentë po bëjnë ndonjë veprim konkret për të pasur sa më shpejtë projekte të finalizuara nga energjia e gjelbër. 

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com