Home / Lajme / Kosova / Energjia dhe minierat, SHBA-ja dhe Kosova bisedojnë për zgjerimin e mundësive

Energjia dhe minierat, SHBA-ja dhe Kosova bisedojnë për zgjerimin e mundësive

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka biseduar me ministren e Ekonomisë të Kosovës, Artane Rizvanolli, për zgjerimin e mundësive mes dy shteteve në fushën e energjisë dhe minierave.

“Ajo riktheksoi angazhimin e Ambasadës për të krijuar mundësi për bizneset amerikane, veçmas të atyre që operojnë në sektorin e gazit të lëngshëm natyror dhe atë të minierave. Mezi presim vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që promovojnë prosperitet të ndërsjellë”, shkroi Ambasada në një postim në rrjetet sociale.

Aktualisht, Kosova nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror e as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.

Për furnizim me energji elektrike, vendi mbetet i varur nga qymyri, pasi rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet Kosova A dhe B, që janë të vjetra.

Së voni, ministrja Rizvanolli shprehu gatishmëri për furnizim me gaz nga SHBA-ja gjatë Samitit Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në Uashington më 24 shkurt, informon REL.

Gjatë samitit, Rizvanolli tha se për Kosovën përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet kyç dhe shteti ndjek një qasje të dyfishtë: “rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja, përfshirë gazifikimin e thëngjillit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë dhe kompanitë amerikane”.

Ndërkaq, në Strategjinë e Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikohet mundësia që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen.

Megjithatë, për shkak se vendi nuk ka dalje në det, është më e vështirë që të ndërtojë infrastrukturë të gazit pa bashkëpunim me shtetet fqinje.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com