Një pjesë e konsumatorëve në Prishtinë vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike edhe pas orësh të tëra intervenimi në terren, si pasojë e një incidenti që ka dëmtuar rrjetin transmetues.
Sipas KOSTT, ndërprerja e furnizimit është shkaktuar nga shembja e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, e cila ka dëmtuar infrastrukturën dhe ka prekur rrjetin në nivelin 110 kV. Si pasojë, konsumatorët që furnizohen nga nënstacioni Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike.
Edhe pse ekipet e KOSTT dhe KEDS janë angazhuar intensivisht gjatë gjithë ditës, furnizimi nuk ka mundur të rikthehet as gjatë mbrëmjes, raporton Energy Monitor.
Autoritetet bëjnë të ditur se dëmet në infrastrukturë janë të konsiderueshme dhe se, për arsye sigurie, fillimisht duhet të stabilizohet terreni, gjë që po kufizon ndërhyrjet dhe po pamundëson zbatimin e menjëhershëm të zgjidhjeve alternative.
Sipas vlerësimeve të specialistëve, situata kërkon qasje të kujdesshme dhe hapa shtesë teknikë për të krijuar kushtet e nevojshme për rikthimin e energjisë. Për këtë arsye, nuk mund të konfirmohet ende nëse furnizimi do të rikthehet gjatë natës.
Ekipet mbeten në terren dhe pritet që, sapo të sigurohen kushtet teknike dhe të sigurisë, të vazhdojnë me stabilizimin e rrjetit dhe rikthimin gradual të furnizimit për konsumatorët e prekur.



