Home / Lajme / Kosova / ZRRE paralajmëron vendim në prill: Tarifat e energjisë ende të paqarta, nuk përjashtohet as rritja

ZRRE paralajmëron vendim në prill: Tarifat e energjisë ende të paqarta, nuk përjashtohet as rritja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) pritet që gjatë muajit prill të marrë vendimin e radhës për tarifat e energjisë elektrike, ndërsa ende nuk dihet nëse qytetarët do të përballen me rritje, ulje apo mbajtje të çmimeve aktuale.

Zëdhënësi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka bërë të ditur se procesi i përshtatjes së tarifave tashmë ka nisur dhe do të zgjasë deri në fund të marsit, ndërsa vendimi final do të merret në bazë të analizave të ekspertëve të rregullatorit.

Sipas tij, aktualisht asnjë skenar nuk mund të përjashtohet. “A mund të ketë ulje apo ngritje të tarifave të energjisë, apo të mbeten të njëjta, kjo do të varet nga analizat profesionale. Vetëm pas përfundimit të tyre do të njoftohet opinioni publik,” ka deklaruar Pepaj.

Ai ka theksuar se Kosova vazhdon të mbështetet pjesërisht në importin e energjisë elektrike për të mbuluar konsumin vendor, duke bërë të ditur se aktualisht po importohen energji në vlerë rreth 90 milionë euro, me një çmim mesatar prej 126 euro për megavat-orë.

Struktura e prodhimit në vend mbetet e dominuar nga termocentralet, ndërsa burimet e ripërtëritshme përbëjnë rreth 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm.

Ndërkohë, njohës të ekonomisë paralajmërojnë për ndikimet e mundshme negative të një rritjeje të re të çmimit të energjisë. Ekonomisti Ardijan Sahiti vlerëson se çdo rritje e tarifave do të rëndonte drejtpërdrejt buxhetin familjar dhe do të kishte efekt zinxhiror në rritjen e çmimeve të tjera.

Sipas tij, rritja e kostove të energjisë ndikon jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë social, duke përkeqësuar mirëqenien e qytetarëve në një kohë kur pagat mbeten të pandryshuara.

Kujtojmë se rritja e fundit e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë ishte mbi 15 për qind, ndërsa vendimet e ZRRE-së bazohen në rregulloren për përcaktimin e të hyrave të lejuara dhe tarifave të rregulluara, që rishikohen çdo vit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com