Home / Lajme / Rajoni / Serbia drejt çmimeve negative të energjisë në bursë

Serbia drejt çmimeve negative të energjisë në bursë

Bursa e energjisë në Serbi, SEEPEX, po përgatitet të lejojë çmime negative të energjisë elektrike, një zhvillim që shënon një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit me tregjet evropiane dhe integrimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme.

Sipas raportimeve, ky ndryshim pritet të zbatohet gjatë vitit 2026, duke i mundësuar tregut që të reflektojë më realisht raportin mes ofertës dhe kërkesës për energji, njofton Balkan Green Energy News.

Çmimet negative në tregun e energjisë nënkuptojnë situata kur prodhuesit, në vend që të paguhen, paguajnë për të shitur energjinë e tyre. Kjo ndodh zakonisht kur prodhimi është shumë i lartë – veçanërisht nga burimet si dielli dhe era – ndërsa kërkesa është e ulët.

Fenomeni është tashmë i zakonshëm në tregjet evropiane, sidomos gjatë periudhave me prodhim të lartë nga energjia solare dhe temperatura të buta, kur konsumi bie. Në raste të tilla, sistemi përballet me tepricë energjie dhe çmimet mund të bien deri në zero apo edhe nën zero, përcjell Energy Monitor.

Deri më tani, në Serbi çmimet negative nuk kanë qenë të mundshme për shkak të kufizimeve ligjore dhe rregullative, ku çmimi minimal në bursë ka qenë zero.

Futja e këtij mekanizmi shihet si një hap drejt një tregu më të avancuar dhe më fleksibël, por njëkohësisht sinjalizon edhe sfidat që vijnë me rritjen e energjisë së ripërtëritshme, veçanërisht mungesën e kapaciteteve për ruajtje të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com