Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime për gjendjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke theksuar se Kosova po përballet me mungesë serioze të kapaciteteve.
Në një reagim publik, ajo ka bërë të ditur se vendi e ka nisur ditën me më pak se gjysmën e kapacitetit prodhues në dispozicion, pasi tre blloqe kanë qenë jashtë funksionit. Sipas saj, edhe njësia B1 ka pasur probleme të vazhdueshme, duke hyrë dhe dalë nga prodhimi për disa ditë me radhë.
“B1 për 7 ditë, bjen e ngritet, prapë bjen, si të ishte lojë fëmijësh”, ka deklaruar ajo, duke kritikuar menaxhimin e kapaciteteve energjetike në vend.
Ymeri ka sqaruar gjithashtu se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, konkretisht faza e dytë që parasheh daljen e bizneseve nga furnizuesi universal, nuk është anuluar, por vetëm është shtyrë.
“Me fjalë të tjera, vonim ka, po shpëtim s’ka”, është shprehur ajo, duke paralajmëruar se bizneset do të përballen me të njëjtin proces në fazat e ardhshme.
Sipas saj, për shkak të mungesës së prodhimit vendor, energjia që konsumojnë bizneset vjen kryesisht nga importi, çmimi i të cilit ndikohet drejtpërdrejt nga zhvillimet ndërkombëtare dhe krizat globale.
Kjo, sipas Ymerit, i ekspozon bizneset në Kosovë ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe varësisë nga faktorë gjeopolitikë.
Në fund, ajo ka drejtuar kritika edhe ndaj politikave energjetike të qeverisë, duke i cilësuar ato si të orientuara drejt rritjes së varësisë nga importi.



