Çështja e dyshimeve për manipulim të njehsorëve elektrikë në Kosovë po zhvendos fokusin nga kompanitë operative drejt përgjegjësisë së institucioneve shtetërore, përkatësisht Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka akuzuar drejtpërdrejt institucionet shtetërore për dështim në mbikëqyrjen e sektorit dhe mosveprim përballë një problemi që, sipas tij, ka prekur mijëra qytetarë.
Sipas Azemit, përgjegjësia kryesore bie mbi mekanizmat shtetërorë të kontrollit, konkretisht Agjencinë e Metrologjisë në kuadër të MINT-it, e cila është përgjegjëse për kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve matëse.
“Institucioni, qeveria, ministria… kanë dështu me mbikëqyrë dhe me mbrojt qytetarët. Ai institucion që duhet me i kry këto matje ka veç një njeri… me kontrollu 400 mijë njehsorë”, ka deklaruar, Azemi shkruan Telegrafi.
Ai shton se mungesa e kapaciteteve dhe e mekanizmave të pavarur të verifikimit ka krijuar hapësirë për abuzime.
“Nuk kanë licencu asnjë institucion të pavarur që kish mund me i bë verifikimet. Shteti ka dështuar me reaguar me kohë”, shkruan Telegrafi.



