Home / Lajme / Ndërkombëtare / BE përgatitet për një krizë të zgjatur energjetike, Komisioni Evropian zbardh rekomandimet për kursimin

BE përgatitet për një krizë të zgjatur energjetike, Komisioni Evropian zbardh rekomandimet për kursimin

Komisioni Evropian u bëri thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të veprojnë në kohë, në mënyrë të koordinuar dhe me një linjë të përbashkët, për të garantuar sigurinë e furnizimit me naftë dhe produkte nafte, në kushtet e trazirave të reja energjetike të shkaktuara nga kriza në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Në një njoftim të publikuar dje, Komisioni thekson se paqëndrueshmëria në tregjet ndërkombëtare të energjisë kërkon monitorim të vazhdueshëm, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe koordinim të ngushtë mes shteteve anëtare, në mënyrë që BE-ja të jetë e përgatitur për çdo skenar.

Sipas Komisionit, shtetet anëtare të BE-së kontribuojnë me rreth 20% në lirimin e mbi 400 milionë fuçive naftë emergjente, në kuadër të mekanizmit të koordinuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Në një letër drejtuar ministrave të Energjisë të BE-së, Komisioneri për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jørgensen u kërkoi shteteve anëtare të forcojnë koordinimin përmes Grupit të Koordinimit të Naftës dhe Grupit të Punës për Sigurinë e Bashkimit Energjetik, si dhe të shqyrtojnë masa për uljen e kërkesës, me fokus të veçantë në sektorin e transportit, sipas rekomandimeve të IEA-së në planin me 10 pika për reduktimin e përdorimit të naftës.

Komisioni rekomandon gjithashtu që shtetet anëtare të shmangin masa që mund të rrisin konsumin e karburanteve, të kufizojnë qarkullimin e lirë të produkteve të naftës në tregun e përbashkët, apo të dekurajojnë prodhimin e rafinerive evropiane.

Po ashtu theksohet se qeveritë duhet të jenë në konsultim të vazhdueshëm si me shtetet fqinje, ashtu edhe me vetë Komisionin, për të ruajtur kohezionin në nivel evropian dhe për të mbrojtur funksionimin e tregut të brendshëm.

Në të njëjtin kuadër, Komisioni sugjeron shtyrjen e çdo mirëmbajtjeje jo urgjente të rafinerive, për të garantuar furnizim të mjaftueshëm në tregun e BE-së. Gjithashtu, vlerësohet se rritja e përdorimit të biokarburanteve mund të ndihmojë në zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile dhe në lehtësimin e presioneve në treg.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com