Home / Highlights / BERZH shqyrton kredinë prej 40 milionë eurosh për projektin solar 142 megavatësh në Kosovë

BERZH shqyrton kredinë prej 40 milionë eurosh për projektin solar 142 megavatësh në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) po shqyrton dhënien e një kredie deri në 40 milionë euro për të mbështetur ndërtimin e një projekti të madh solar në Kosovë, me kapacitet të instaluar prej 142 MW.

Sipas të dhënave të publikuara, financimi do të destinohet për zhvillimin e dy centraleve fotovoltaike të vendosura në komunën e Istogut, të njohura si projektet Tuçep dhe Veriç.

Projekti pritet të realizohet përmes dy kompanive të krijuara posaçërisht për këtë qëllim, ndërsa pronësia ndahet mes kompanisë britanike Quant Renewables, me 52% të aksioneve, dhe fondit Green for Growth Fund, me 48%, njofton Energy Monitor.

Vlera totale e investimit vlerësohet rreth 85 milionë euro, ndërsa vendimi final për financim nga BERZh pritet të merret gjatë muajit maj 2026.

Nëse realizohet, ky projekt do të përbëjë portofolin më të madh të energjisë solare në Kosovë deri më tani dhe një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të prodhimit të energjisë, i cili aktualisht dominohet nga linjiti.

Përveç rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, projekti pritet të kontribuojë edhe në reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit me rreth 185 mijë tonë në vit, duke mbështetur objektivat klimatike të vendit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com