Home / Lajme / Kosova / Komisioni për Buxhet miraton kredinë 80 milionë euro nga Franca për tranzicionin energjetik në Kosovë

Komisioni për Buxhet miraton kredinë 80 milionë euro nga Franca për tranzicionin energjetik në Kosovë

Me nëntë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) për Programin e Kredisë të bazuar në Politika.

Kredia prej 80 milionë eurosh synon përshpejtimin e tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër dhe mbështetjen e reformave në sektorin e energjisë.

“Pra, siç e thashë, marrëveshja synon të përshpejtojë tranzicionin e Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke vendosur dhe zbatuar një kornizë politike dhe ligjore plotësisht të harmonizuar me Acquis të Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë, si dhe me zotimet ndërkombëtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim, pra objektivi i marrëveshjes është që gjithashtu t’i mundësojë Republikës së Kosovës të arrijë dhe përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare, përfshirë edhe zotimet që rrjedhin nga Deklarata e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi detajet e marrëveshjes dhe sqaroi se ajo vjen paralelisht me një kredi tjetër prej 80 milionë eurosh nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), njofton Energy Monitor.

“Janë dy marrëveshje me nga 80 milionë euro secila, që në tërësi bëjnë 160 milionë euro, duke synuar thellimin e reformave të parashikuara në Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian. Këto marrëveshje do të ndihmojnë për harmonizimin e kornizës politike dhe ligjore të sektorit të energjisë me standardet evropiane dhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës,” tha Murati.

Sipas tij, kredia franceze ka kohëzgjatje 12 vjet me tre vite periudhë grejs dhe normë interesi të bazuar në Euribor 6-mujor plus tarifë të zotimit 0.5% në vit.

Marrëveshja pritet të mundësojë ndryshime në legjislacionin primar dhe sekondar, si dhe reforma institucionale që synojnë përshpejtimin e tranzicionit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com