Home / Lajme / Kosova / Shtyrja e tarifave të energjisë, Azemi: E pamjaftueshme pa sqaruar çështjen e njehsorëve

Shtyrja e tarifave të energjisë, Azemi: E pamjaftueshme pa sqaruar çështjen e njehsorëve

Vendimi për shtyrjen e hyrjes në fuqi të tarifave të reja të energjisë elektrike deri më 1 maj është cilësuar si hap i duhur, por i pamjaftueshëm nga përfaqësues të opozitës.

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, bëri të ditur se tarifat që ishin paraparë të hynin në fuqi më 1 prill do të shtyhen për një muaj.

Ndërkohë, Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi duke e mirëpritur vendimin, por duke theksuar se ai nuk adreson thelbin e problemit. Sipas tij, shtyrja është rezultat i presionit publik pas debatit të fundit mbi saktësinë e njehsorëve të energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.

“Çdo ndryshim tarifor duhet të pezullohet plotësisht deri në përfundimin e hetimeve. Nuk mund të ketë rritje, ndryshim apo barrë të re mbi qytetarët, derisa të sqarohet e vërteta e plotë për matjen, faturimin dhe dëmin e shkaktuar,” ka deklaruar Azemi.

Ai shtoi se qytetarët nuk mund të përballen me kosto shtesë në një kohë kur ende nuk është e qartë nëse dhe në çfarë mase janë dëmtuar nga matja dhe faturimi i energjisë.

Sipas tij, çdo vendim për tarifat duhet të mbetet i pezulluar deri në përmbylljen e plotë të hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale.

Debati për tarifat e energjisë dhe funksionimin e njehsorëve ka dominuar diskursin publik në ditët e fundit, duke rritur presionin ndaj institucioneve për transparencë dhe qartësi në procesin e vendimmarrjes.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com