Home / Lajme / Kosova / Kusari-Lila: Vetëm sot 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve, nuk ka manipulim të konsumit

Kusari-Lila: Vetëm sot 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve, nuk ka manipulim të konsumit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit për çështjen e njehsorëve elektrikë, duke bërë të ditur se numri i kërkesave për verifikim është rritur ndjeshëm ditët e fundit.

Sipas saj, vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 70 kërkesa për verifikim të jashtëzakonshëm të njehsorëve, ndërsa sot ky numër ka arritur në 206 kërkesa.

Ajo theksoi se Agjencia për Metrologji, në kuadër të ministrisë që ajo drejton, është përgjegjëse për vlerësimin dhe verifikimin e pajisjeve matëse, përfshirë edhe rastet e verifikimit të jashtëzakonshëm, të paraparë me Ligjin për Metrologjinë.

“Është themeluar një grup punues ad-hoc nga ministria, me përfaqësues nga Agjencia për Metrologji dhe nën mbikëqyrjen e Inspektoriatit Qendror të Tregut, për të trajtuar kërkesat e konsumatorëve”, tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se deri në momentin kur çështja u bë publike, nuk kishte asnjë kërkesë të paraqitur në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ministrja bëri të ditur se procesi i verifikimit tashmë ka filluar dhe rezultatet do të publikohen pas përfundimit të analizave. Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, nuk janë identifikuar devijime në matjen e sasisë së energjisë elektrike.

“Sipas verifikimeve të deritanishme, çështjet e evidentuara nuk kanë të bëjnë me ndryshim të vëllimit të energjisë së matur, por lidhen me tarifat apo kohët tarifore”, theksoi ajo.

Kusari-Lila shtoi se Ligji për Metrologjinë parasheh sanksione dhe dënime për subjektet fizike dhe juridike në rast të shkeljeve, ndërsa të gjitha gjetjet do t’i përcillen Zyrës së Rregullatorit për ndërmarrjen e masave të mëtejme.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com